Gledis Nano: Policëve do u ribëhet testi i drogës në laboratorë shtetërorë, asnjë shkarkim pa u bindur

Kreu i policisë Gledis Nano ka thënë se testi i efektivave për drogë është në fazat e tij paraprake dhe se asnjë efektiv nuk do të shkarkohet pa bindje dhe konfirmim nga institucionet shtetërore. Sipas drejtorit të përgjithshëm target grupi janë efektivat me moshë risku ndërsa synimi është pastrimi I policisë dhe jo vendosja e kësaj strukture nën trysni apo presion. I pyetur nga mediet për masat lidhur me kuvendin e PD të thirrur nga Sali Berisha, Gledis Nano tha se veprimi i policisë do të jetë në varësi të informacioneve nga strukturat e sigurisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano ka folur për herë të parë në lidhje me urdhrin për testin e drogës tek efektivat e rendit duke nënvizuar faktin se synimi nuk është terrorizimi I strukturës por pastrimi i saj.

"Qëllimi ynë është parandalimi i përdorimit të lëndëve narkotike nga punonjësit e policisë, duam të kemi punonjës të pastër," tha Nano.

Pa dashur të flasë për rezultatet e deritanishme të testimit që ka nisur tashmë prej gati tri javësh, kryepolici theksoi se të dhënat e deritanishme janë paraprake

"Nuk ka përfunduar testi i drogës është vetëm, në fazat fillestare të saj. më pas do vazhdojmë me fazat e tjera të testimeve nga institucione të tjera shtetërore të cilat do të japin fjalën apo aktin përfundimtar," tha Nano.

Gledis Nano konfirmoi se asnjë punonjës policie nuk do të penalizohet pa pasur bindjen dhe konfirmimin edhe nga institucionet shtetërore në lidhje me testin e lëndëve narkotike

"Nuk do të merret asnjë veprim penalizues për asnjë punonjës policie pa u bindur," tha Nano.

Pas pyetjes nga mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë foli edhe për masat e marra në lidhje me kuvendin e PD, të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor.