Emrat e dy personave në kërkim, kishin planifikuar atentatin me mina me telekomandë në Tiranë
Ora News zbulon emrat e dy personave të shpallur në kërkim për atentatin me mina me telekomandë që ishte planifikuar të kryhej në Tiranë.
Shkak ishte prishja e pazareve të drogës.
Shkak për këtë atentat të parandaluar nga policia e Lezhës janë bërë hasmëritë e lindura mes dy grupeve që veprojnë ne trafikimin e hashashit në Spanjë, informon gazetari Elton Qyno.
Bëhet fjalë për shtetasit Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka. Të dy 31 vjeçarët identifikohen nga policia si "persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës."
Ata janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Mataro".
"Nga hetimet paraprake dhe informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit" informoi më 8 dhjetor 2021, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Oltion Bistri.
Arrestohen strehuesit e minave me telekomande
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua Nikoll Marku 62 vjeç dhe Marie Marku 60 vjeçe, nga lagjja "Varosh" i Lezhës dhe dhëndri i Nikollës, Mark Lamkja.
27 vjeçari (Mark Lamkja) ishte banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Video/ Negociatat për buxhetin 2022, "plas" grushti në Parlament
8 Dhjetor, 11:15
Policia thotë se Edmiri dhe Hektori kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të Nikoll Marku për të fshehur armatimin dhe të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.
"Këta shtetas, si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit Nikoll Marku" deklaroi drejtori i policisë Lezhë.
Sekuestrohen minat me telekomande
Policia ka ushtruar kontroll në ambiente, mjete dhe banesa te dyshuara. Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë.
88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëva narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.
Dhendri tentoi te fshihte provat
Ndërsa shtetasi Mark Lamkja dhëndri i shtetasit Nikoll Marku, është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.
Armet e sekuestruara dergohen per ekzaminim
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, kapjen e personave të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

