Shinasi Rama zbërthen vizitën e Escobar në Tiranë: Europa nuk ka luajtur ndershmërisht me shqiptarët, i vetmi aleat SHBA

Për publicistin, Shinasi Rama, Europa nuk ka luajtur asnjëherë ndershmërisht me shqiptarët dhe i vetmi aleat kanë mbetur SHBA.

Në një intervistë për Rtv Ora, ai tregon dhe arsyen se pse SHBA është kaq e vëmendshme ndaj rajonit dhe posaçërisht Shqipërisë.

Rama: BE ka interesa që janë jo gjithmonë të përputhshme me SHBA. Ky qëndrim i Europës buron nga fakti se nuk e shohin as Ballkanin, as Shqipërinë si pjesë të Europës por si një shtojcë të bashkangjitur. Pavarësisht se ju doni me i thënë vetes europianë dhe urimet më të mira por konceptimi juaj si europianë është një nga shenjat e marrëzisë kolektive që e kanë karakterizuar atë vend, veçanërisht gjatë 30 viteve të fundit. Europianët janë të lumtur me dhënë e me marrë me shqiptarët në çdo mënyrë që të jetë e mundur përsa kohë që nuk paraqesin problem për europianët. Në lidhje me SHBA problemi i shtetit shqiptar është një problem jetik sepse treshja Durrës-Shëngjin-Vlorë është porta hyrëse në çdo konflikt të ardhshëm në Rusi dhe Azinë qëndrore, është një nga pesë pikat kryesore strategjike në të cilat duhen siguruar, garantuar, mbrojtur të gjitha kalimet ushtarake dhe për këtë regjimet politike që janë në këto vende të caktuara duhet të jenë besnike dhe të padyshueshme. Divergjencat janë jashtëzakonisht shumë të thella ndërsa SHBA kanë mbajtur gjithmonë me përparësi interesat strategjike, ushtarake në lidhje me shtetin shqiptar duke qenë të lumtur me e lënë BE me kontrollu sferat ligjore-ekonomike. Europa nuk ka luajtur asnjëherë ndershmërisht me shqiptarët dhe i vetmi aleat kanë mbetur SHBA.

Pas Maqedonisë së Veriut Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan të Shtetit Gabriel Escobar ka planifikuar një vizitë zyrtare edhe edhe në Tiranë, pavarësisht se Ambasada amerikane në kryeqytet nuk ka konfirmuar datën.

Prof.Dr. Shinasi Rama e sheh vizitën e tij të lidhur me interesat strategjike të SHBA sesa me politikën e brendshme të Tiranës.

Rama: Të dërguarit e posaçëm në diplomaci caktohen vetëm kur ka probleme rajonale ose probleme të vendeve që janë specifike që kërkojnë koordinim të thellë dhe një njeri që të jetë më shumë se ambasador i lëvizshëm. Escobar është një figurë kyçe dhe sjellja e tij duhet kuptuar jo aq në kontekstin shqiptar sesa në lidhje me pikat e mëposhtme. Së pari është një problem kyç strategjik, nesër do ketë një bisedë me video mes Biden dhe Putin, konflikti strategjik në Bosnje në lidhje me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, sjelljen e bullgarëve, problemet e parisë së Tiranës. Janë të gjitha probleme që shqetësojnë jashtëzakonisht shumë Uashingtonin. Përpjekja e Escobar duhet parë nga ky qëndrim në lidhje me politikat e SHBA në lidhje me rajonin.

Sipas tij paria e Tiranës duhet të marrë ato përgjegjësi që nuk i ka marrë deri më tani.

Rama: Në lidhje me parinë e Tiranës e cila është nga paritë më problematike, një nga shtresat sunduese shumë të kriminalizuara dhe tejet të korruptuara në zonën e influencës të njohur të SHBA që po përpiqet të shkëputet nga kjo me mënyrat dhe metodat e veta. Vizita e sekretarit Escobar duhet parë për vlerën që ka. Duhet parë dhe fakti që vizitat nuk lajmërohen sot për nesër, bëhen dhe paralajmërohen me kohë shumë më të përparshme. Fakti që po detyrohet me u kthy kryeministri Rama ka një domethënie shumë më të madhe se aq. Tani duhet që paria e Tiranës të marrë ato përgjegjësi që nuk ka pranuar ti marrë deri tani ose më mirë me thënë ka luajtur rolin e prostitutës duke u sjellë në të njëjtën kohë në mënyrë të baraslarguar nga Kina, Rusia, SHBA dhe Europa edhe duke qenë pjesë e një strukture superkriminale që tashmë ka depërtuar në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar. Në kontekstin strategjik që po vepron SHBAështë jashtëzakonisht e domosdoshme që një shtet si Shqipëria, që është një nga pesë portat kyçe të çdo konflikti të ardhshëm me Rusinë ose një konflikt tjetër të mundshëm në Azinë Qëndrore, duhet me qenë shumë i sigurt në të gjitha drejtimet.

Në politikën e SHBA mund të ketë ndalesa, kthesa majtas ose djathtas por nuk ka kurrë kthim pas, thotë Shinasi Rama.

Korrupsioni shtetëror pritet të marrë vëmendjen e Escobar në këtë vizitë.

Rama: SHBA janë një perandori e lirisë, kanë dhënë dhe marrë me shumë entitete që kanë qenë shumë më të sofistikuara se paria shqiptare dhe kanë një këndvështrim që shkon shumë larg, dallohen nga një pragmatizëm i thellë në politikë. Në politikën e SHBA mund të ketë ndalesa, kthesa majtas ose djathtas por nuk ka kurrë kthim pas përsa kohë objektivi është i qartë. Ajo që do të thoja në lidhje me PD dhe parinë e Tiranës, sepse nuk është vetëm problemi i PD por gjithë parisë së Tiranës, është vetëm një shtojcë politike e krimit, koka politike e krimit të organizuar dhe korrupsionit shtetëror në të gjitha nivelet. Ky do të jetë një nga problemet kyçe që do të merret dhe Escobar.

Por pse SHBA po investohet vetëm te Berisha? Shinasi Rama e sheh të lidhur me një marrëveshje në 2005.

Rama: Paria që sundon shtetin shqiptar luajnë kungulleshash në një tavolinë ku të gjithë janë bashkë por të gjithë luftojnë për një pozicionim më të mirë dhe një marrje sa më të madhe të tortës nga ana e tyre. Gjithë lufta politike është kush të vjedhë më shumë. Por njëri po ra bien të gjithë. Berisha në 2005 për me ardh në pushtet bëri një marrëveshje. Marrëveshja ishte se do t'ia linte PD strukturave sektare të organizuara në llozha sorosiane dhe masonike që do të ishin të drejtuara nga krijesat e edukuara në Perëndim apo punonin për struktura të caktuara Perëndimore dhe do të sundonte 8 vjet por pas 8 viteve do dilte nga loja. Saliu sundoi 8 vjet, zgjodhi njeriun më të dobët të mundshëm nga të gjithë ata që i shkuan në KOP. Edhe unë u ftova dhe refuzova të jem pjesë e kësaj loje të ndyrë. Saliu tani e sheh se duhet të garantojë jetën e familjes së vet. Sali Berisha ka qenë i lumtur me i shit njerëzit nga i pari te i fundit por në momentin që po flasim duke parë se vazhdimësia e lojës dhe humbja e kontrollit të PD nga ana e tij do të çonte në rrezikimin e djalit të tij në veçanti, që nuk është njeri me të shkuar të pastër. E shkuara e të birit dhe mbajtja peng nga strukturat kriminale e kthen Sali Berishën në lojën politike dhe kjo arsyeja pse po përplaset dhe SHBA me Berishën.

Po a është Berisha më i korruptuari? Shinasi Rama thotë se aktualisht koka e korrupsionit dhe e krimit në shtetin shqiptar është Edi Rama por duhet filluar nga diku.

Rama: Sali Berisha ka qenë pjesë e kësaj strukture kriminale dhe ka bërë krime të panumërta, ama në këtë pikë që flasim koka e korrupsionit dhe e krimit në shtetin shqiptar është Edi Rama dhe Ilir Meta.Edi Rama është koka e korrupsionit shtetëror sepse në shtetin shqiptar humbin çdo vit 1 mld e 200 mln euro që vidhen nga zyrtarët e shtetit dhe shpërdorohen dhe nuk arrestohet kush. Edi Rama është koka e korrupsionit kriminal sepse në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Burimeve të Huaja vë një bandit, një njeri që akuzohet për vjedhjen e 200 mln eurove, që detyroi Ambasadoren e SHBA me u çue e me ik. Në Shqipëri populli është zënë nga fyti nga kjo pari kriminale që nuk ka lënë asnjë alternativë tjetër përveç ndonjë maskarai provincial si Myslim Murrizi që me dal me thënë një grimë të vërtetë. SHBA e kuptojnë se si Sali Berisha, Edi Rama, si Ilir Meta, Lulzim Basha, Erion Veliaj, çdo njeri në politikën shqiptare është i zhytur deri në fyt në krim, pjesë e strukturave kriminale dhe korruptive që e kanë zhvesh atë vend të gjallë. SHBA duhet ta fillojnë diku dhe njeriu për me e fillu është njeriu që mban peng opozitën.