Sfumohet edhe Shullazi, Prokuroria tërhiqet nga kërkesa për dënim maksimal
Pas një procesi maratonë prej më shumë se dy vitesh Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për 55 vjet heqje lirie ndaj pesë të pandehurve. Vendimi u dha pas tërheqjes së Prokurorisë nga kërkesa për ashpërsimin e dënimeve ndërkohë që në seancë, ishin vetëm të akuzuarit pasi avokatët bojkotuan ashtu si në shumicën e seancave të procesit.
Gjykata e Apelit të Posaçëm dha vendimin përfundimtar për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij pas një procesi maratonë me rreth 220 seanca të dështuara për shkak të mungesës së avokatëve.
Vendimi që tashmë merr formë të prerë, e dënon Emiljano Shullazin me 14 vjet burg, ndërkohë që të akuzuarit e tjerë si anëtarë të grupit u dënuan me nga 12 vjet burg Gilmando Dani, 10 vjet heqje lirie Endrit Qyqja dhe Endrit Zela ndërsa 9 vjet burg ishte verdikti për Blerim Shullazin i cili mungoi në seancën finale të procesit.
Akuzat për të cilat ata u shpallën fajtorë bëjnë fjalë për “gjobëvënie” ndaj shtetasve Jani Zaka dhe Ylvi Bengasi në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Vendimi i Gjykatës së Apelit u dha në një sallë ku prezent ishte vetëm Emiljano Shullazi, aktualisht i izoluar në sistemin 41 bis, dhe anëtarët e grupit të tij ndërsa avokatët mungonin.
Përfaqësuesit e akuzës Eneid Nakuçi dhe Altin Dumani njoftuan më herët heqjen dorë nga ankimi i Prokurorisë, që lidhej me kërkesën për dënimin e kreut të grupit me 18 vjet heqje lirie dhe shpalljen fajtor të të pandehurve edhe për kërcënimin e ish-drejtuesve të universitetit të Tiranës.
Në këto kushte, gjykata e apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë e cila në datën 13 nëntor 2018 dha dënimet për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Procesi është monitoruar nga përfaqësues të ambasadës amerikane ndërsa një seancë më parë, prokurorët kërkuan gjykimin pa praninë e avokatëve pas mungesës së përsëritur të mbrojtësve të zgjedhur nga të pandehurit dhe atyre të caktuar kryesisht nga trupa e apelit të posaçëm.
