Gënjeu se i kishin vjedhur me forcë 200 mijë lekë në banesë, e pëson keq i riu në Tepelenë
Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia për kallëzim të rremë. Stilian Muha kishte njoftuar policinë në fund të muajit nëntor se persona të paidentifikuar i kishin hyrë në banesë me forcë dhe i kishin marrë me 200 mijë lekë por pas hetimeve rezultoi se kishte gënjyer.
"Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Tepelenë, menjëherë pas njoftimit të marrë mbrëmjen e datës 27.11.2021, nga shtetasi S. M., se disa persona i kishin hyrë në banesë dhe i kishin marrë 200.000 lekë, kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Si rezultat i punës hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe rezultoi se shtetasi S. M. ka bërë njoftim të rremë, duke improvizuar ngjarjen e grabitjes së shumës së parave" njoftoi policia.
Po nga hetimet rezultoi se ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 300 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë gjahu që e mbante pa leje.
Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht edhe shtetasi A. M., babai i shtetasit Stilian Muha.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, “Njoftimi i rremë në organet e rendit“ dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
