Kallëzim penal për 67 numërues, Celibashi: Ndryshuan rezultatin e 25 prillit, shtuan dhe hoqën votat për kandidatët

Numëruesit që tentuan të ndryshojnë rezulatin e votimit për kandidatët do të duhet të përballem me drejtësinë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të bëjë kallëzim penal për 18 grupe numërimi.

67 numërues të cilët i kanë shtuar apo hequr vota kandidatëve të partive gjatë 25 prillit do të përfundojnë në gjykatë.

Javën e ardhshme, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi pritet të  bëjë kallëzim penal për 18 grupe numërimit që kanë ndryshuar vullnetin e qytetarëve në fletën e votimit.

“Në total janë 67 anëtarë të grupeve të numërimit, pra janë 18 grupe numërimi dhe 67 anëtarë të grupeve të numërimit emrat e të cilëve do të referohen në organin e prokurorisë. Të gjitha shkeljet që ne i kemi vlerësuar si shkelje të natyrës penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit, apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë politike. Ne nuk kemi në kushte as për të hetuar dhe verifikuar për këta anëtarë, që janë apo jo përgjegjës për këtë parregullsi. Do i takojë organit të prokurorisë për të konkluduar nesër janë të 4 anëtarët e grupit përgjegjës, apo vetëm njëri prej tyre. Të 4 janë përgjegjës para ligjit. Janë 20 raste kur kemi parë votim të shumëfishtë në 2 qendra votimi”, tha Celibashi.

Numëruesit në Shkodër i kanë dhënë 101 vota më tepër demokratit Zef Hila, ndërsa nga socialistët më i fituar nga grupet e numërimit ka rezultuar Eduard Shalsi me 76 vota më shumë se sa kishin votuar qytetarët për të.

Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, në Gjirokastër ka arritur të ruajë balancën, disa numërues i kanë shtuar fletë votimi në favor të tij, disa të tjerë ja kanë hequr.

Gjithashtu KQZ-ja ka vendosur të kallëzojë penalisht edhe rastet kur janë identifikuar shenjat biometrike në më shumë se dy raste.

Komisioneri Shtetëror rekomandon që në zgjedhjet e ardhshme duhet të përdoret  identifikimi elektronik pasi minimizon votimet e dyfishta apo ato familjare.