Ligjërimi i tregut të kriptovalutave, këshilla e Arben Malaj për studentët: Mund të investoni por jo me lekët e mamit dhe babit

Edhe në Shqipëri do të lejohet tregtimi i monedhave virtuale. Rregullorja që i hap rrugën këtij aktiviteti tashmë ka hyrë në fuqi. Subjektet do të kenë mundësi të aplikojnë për tre lloje licencash, dhe do jenë nën hetimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare për të mos lejuar pastrimin e parave.

Pas miratimit të ligjit, rregullorja me të gjitha udhëzimet për rregullimin e tregut të kriptomonedhave, ka hyrë në fuqi, si një masë e qeverisë që synon të rregullojë me ligj tregun digjital që po zhvillohet me hapa të shpejtë në gjithë botën.

Kjo rregullore i hap tashmë rrugën investimit të ligjshëm në kriptomonedha edhe në Shqipëri, të cilat deri më tani kanë qenë të palejuara për shkak të mungesës së akteve nën-ligjore.

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj e shikon investimin me risk të lartë dhe duhet shumë kujdes. Por gjithsesi, nëse studentë duan ta provojnë, këshilla e zotit Malaj është që mos e bëjnë me lekët e mamit dhe të babit.

Malaj: Besoj se është një risk shumë i lartë dhe duhet të bëjnë shumë kujdes. Këshilla ime për studentët, është mirë që të dëgjojnë qëndrimet pro dhe kundra, unë në mënyrë profesionale jam kundër, por nëse duan ta provojnë, por jo me leket e mamit e të babit.

Për tu licencuar në bursën digjitale, të gjithë subjektet e interesuara do të dorëzojnë kërkesën pranë AMF dhe AKSHI. Një subjekt duhet të ketë kapital minimal nga 20 milionë lekë deri në 90 milionë lekë, duhet të paraqesë burimin e kapitalit, dokumente mbi besueshmërinë, por edhe përshkrim të detajuar të sistemeve që do përdore dhe procedurave që do ndjekë.