Korçë: Stuhia me borë shembi 14 shtylla, 3 fshatra pa energji elektrike

Për shkak të motit të keq me reshje bore e stuhi, disa zona të thella malore në qarkun e Korçës kanë mbetur pa energji si pasojë e dëmtimit të linjave të tensionit të mesëm.

Sipas informacionit të dispecerisë rajonale të OSHEE,  një nga fiderat e NST Mollas, si pasojë e reshjeve të borës është dëmtuar duke lënë pa energji zonën e Panaritit, Selenicë Pishës, Ballabanovë.

Grupet e avarisë së OSSH rajoni Korçë ndodhen në terren dhe kanë konstatuar se janë dëmtuar 6 shtylla druri dhe 8 shtylla betoni TM si dhe janë këputur përcjellësa dhe izolatorë, informon OSHEE.

Megjithëse punonjësit e OSSH janë në gatishmëri me mjetet e duhura për zëvendësimin e dëmit, terreni i vështirë malor dhe reshjet e borës mbi 40 cm kanë sjellë dhe vonesë në riparimin e avarive dhe rikthimin në kohë të energjisë elektrike.