Shtohen parcelat me kanabis, e pranoi edhe Gledis Nano: Asgjesuam 18% më shumë
Kultivimi i kanabisit ka shënuar rritje në Shqipëri gjatë vitit të fundit, pavarësisht mohimit të realitetit nga policia e drejtuar nga Ardi Veliu. Kreu i policisë, Gledis Nano, në raportimin e tij para Komisionit të Sigurisë pak ditë më parë pranoi se vitin e fundit janë asgjësuar 18 për qind më shumë bimë narkotike. Për këtë arsye, Nano ka kërkuar rezultate konkrete në luftën anti-kanabis në një nga urdhrat e parë të firmosur prej tij pas marrjes së detyrës.
"Janë asgjësuar 164765 bimë narkotike kanabis ose 18.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar".
Menjëherë pas marrjes së detyrës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, nxori urdhër për strukturat vartëse për goditjen e çdo rasti ku konstatohet bimë narkotike në zonat malore po ashtu edhe në ambjente të mbyllura.
Pas një mohimi të gjatë të realitetit nga Policia e drejtuar nga Ardi Veliu, tashmë duket se problematika është pranuar e njohur, ndërkohë që kreu i ri i policisë ka kërkuar rezultate konkrete në luftën anti-kanabis.
Prej muajit mars të këtij viti bazuar edhe në sinjalizimet e agjensive të huaja janë formuar grupe pune ku efektivat e policisë verifikojnë situatën në terren.
Problematike është situata me kultivimin e kanabisit në ambjetet e mbyllura.
Sipas statistikave 9% e totalit të bimëve narkotike janë identifikuar me informacion paraprak, 35% janë identifikuar nga kontrolli i territorit, dhe 56% janë identifikuar nga monitorimi ajror, prej të cilave 8% nga monitorimi ajror me helikopter dhe 48% nga monitorimi i avionit të Guardia di Financia.
Për 9-mujorin e parë të vitit 2021 janë arrestuar ose dërguar në prokurori 614 persona të dyshuar për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike.

