Gjykata e Korçës çon në psikiatri njeriun që vrau fqinjin

Personi që vrau me thikë komshiun e tij në Korçë, Apostol Bozhgoli, është nxjerrë nga ambientet e paraburgimit, duke u mbyllur në një spital psikiatrik.

Vendimi për mbylljen në psikiatrinë e burgut, të Apostol Bozhgolit, është marrë në datën 19 nëntor 2021 nga gjyqtarja e Korçës, Eglantina Mikani, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes, Dashnor Nure, për caktimin e masës mjekësore “Mjekim i detyruar spitalor” për autorin e vrasjes së Petrika Treskën, Apostol Bozhgoli.

Njëherësh me caktimin e kësaj mase sigurimi, prokurori ka kërkuar dhe pushimin e akuzës së “Vrasjes me dashje” për autorin Apostol Bozhgoli.

Ky i fundit gjatë fazës së hetimit ka shfaqur çrregullime mendore, por çuditërisht sipas një akti-ekspertimi të datës 29 janar 2021, rezultoi se i pandehuri nuk vuante nga ndonjë sëmundje psikologjike.

Aq më tepër që eksperti mjeko-psikiatër në këtë raport psikiatër ka dalë në përfundimin se i arrestuari Bozhgoli, është i përgjegjshëm para ligjit për veprën penale që ka kryer.

Nisur nga kjo situatë në muajin Mars 2021, prokuroria ka vendosur ti ngrejë akuzën zyrtarisht Apostol Bozhgolit, duke e akuzuar atë për “Vrasje me dashje”.

Çështja penale shkoi në gjyq, por gjykata vendosi të rikthejë dosjen për hetime të mëtejshme, pasi i pandehuri Bozhgoli, shfaqte sjellje të çuditshme që tregonin se nuk ishte përgjegjës.

Pas ri ekzaminimit psikiatrik, Apostol Bozhgoli, rezultoi të ishte një person i sëmurë mendor dhe i papërgjegjshëm, ndaj krimit që kishte kryer.

Nisur nga këto të dhëna dhe duke parë trajtimin shëndetësor psikiatrik, që Bozhgoli ndiqte në paraburgimin e Drenovës në Korçë, prokuroria ka kërkuar mbylljen në psikiatri të Bozhgolit dhe pushimin e akuzës së vrasjes të komshiut të tij.

Vrasja e Petrika Treskës, ka ndodhur brenda në banesën e tij në Korçë, teksa autori shfrytëzoi një moment kur nga shtëpia e Treskës u largua dhe gruaja e tij.

Bozhgoli, ka shkuar brenda në banesën e komshiut, duke e goditur dhjetëra herë me thikë, gjë e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas kryerjes së krimit, Bozhgoli, që jetonte një kat më sipër, ka shkuar në apartamentin e tij dhe më pas është shtrirë në divan, ku dhe ka fjetur gjumë.

Edhe pse policia dhe prokuroria e Korçës mundën të siguronin mjaft prova, vetë Bozhgoli nuk ka pranuar autorësinë e këtij krimi të rëndë, kundër komshiut të tij.

Gjykata e Korçës çon në psikiatri njeriun që vrau

Gjykata e Korçës çon në psikiatri njeriun që vrau