Siguria e fëmijëve në internet, Muzhaqi: Plagët që u shkaktohen fëmijëve nga interneti sot, do jenë të pranishme nesër

Një 13 vjeçar nga Lushnja është viktima e fundit nga lojërat e rrezikshme të gjendura në internet dhe rrjetet sociale.

Në lidhje me këtë sociologu Ergys Muzhaqi, nënjë intervistë për RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushaj, u shpreh se përdorimi i tepruar i internetit po sjell rreziqe të shumta.

Ai thotë se shpërdorimi i kohës, i energjisë apo qëndrimi me orë të tëra në internet shkaktojnë probleme të mëdha edhe në të ardhmen.

Ergys Muzhaqi: I shoh të shumta rreziqet që sjell përdorimi i tepruar i internetit. Bota e përdoruesve të internetit dhe i atyre që e ofrojnë si shërbim ka kohë që përballet me këto sfida. Moshat e vogla janë të paaftë që ta organizojnë ndërgjegjen apo nëndërgjegjen e tyre, kohën e tyre, vëmendjen e tyre.  Edhe në moshën e adoleshencës së hershme shpërdorime të tilla, të kohës së energjisë shkaktojnë problem të mëdha.

Ai thotë se në ditët e sotme prindërit e kanë të vështirë që t’i monitorojnë fëmijët e tyre për të kuptuar problemet me të cilat përballen.

Ergys Muzhaqi: Konstatoj se në shumë raste kemi cenime të sigurisë, të personi i angazhuar në internet por që përcillet dhe në shoqëri. Në momente të caktuar kalon në ekstreme siç janë vdekja ose vrasja. Prindërit e kanë të vështirë t’I monitorojnë fëmijët e tyre, pasi ata e gjejnë rrugën për gjëra që nuk na shkon mendja se mund të ekzistojnë.

Më tej ai thotë se ‘plagët’ që u shkaktohen fëmijëve sot mund të jenë të pranishme edhe në të ardhmen. Muzhaqi thekson se përgjegjësinë me të madhe e kanë prindërit.

Ergys Muzhaqi: Përgjegjësia është e të gjithëve, përfshirë edhe shoqërinë. Është infrastruktura sociale që ne krijojmë me njëri-tjetrin, kjo njëfarë mënyrë detyron sidomos fëmijët që të shfaqin një adoleshencë të tejzgjatur, në dimensionin e vetëpëlqimit, në dimensionin për të tërhequr klikime apo vëmendje, në dimensionin bullizmin, individualizmit të tepruar. Këto janë elementët që formohen gabimisht në fëmijëri dhe në adoleshencë por vazhdojnë në të njëjtën mënyrë. Përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit. Është personi që ka detyrimin parësor por ka edhe mundësinë fizike që të jetë më në kontakt me mënyrën se si po zhvillohet bota e fëmijës së tij.

Përgatiti Anila Kolgjini.