"Është në borxhe që nuk i lan dot mesa duket", Presidenti thotë se Bashën e kanë kurdisur kundër tij

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidenti i Republikës Ilir Meta janë përfshirë në replika të ashpra mes tyre.

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për mediat për të thënë të vërtetën e tij në raport me fushatën e opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit, të cilën Basha pretendon se ai e ka dëmtuar.

Sipas Metës, kryedemokratin e kanë kurdisur persona ndaj të cilëve Basha është në borxhe që nuk ua lan dot.

Çfarë halli ka Presidenti, sikundër pretendon kryetari i PD-së, dhe pse e keni ndihmuar Bashën i cili në 2017 bëri marrëveshje me Ramën për zhdukjen e LSI, partisë që ju drejtonit?

Meta: Ilir Meta ka detyrë të përmbushë detyrimet e tij si President, se çfarë njohin shqiptarët dhe demokratët për mua është e drejtë e tyre, unë kam qenë, jam dhe do jem gjithmonë midis shqiptarëve demokratë, socialistë dhe pa parti, i hapur për të dhënë llogari dhe reflektuar, asnjëherë për ti ikur ballafaqimit. Meqenëse zotëria në mënyrë të qëllimshme disa herë ka provokuar se kështu është kurdisur jo se ka dëshirë ose është në një hall, detyrim, siklet dhe borxhe që nuk i lan dot mesa duket, i them që nuk të ndihmon dot Ilir Meta se si ka mundësitë jo se nuk do të kishte dëshirë. U përpoq të të ndihmonte pafund  kur ishte kryetar parlamenti që të mos e bojkotoje reformën administrative territoriale, të dërgoi në konferencën e partisë tënde për pushtetin vendor edhe kryetarin e atëherëshëm të kësaj reforme në parlament, të ndjerin zotin Fino, edhe zotin Vasili pasi ky e bojkotonte dhe të dhanë ofertën në emër të Ilir Metës që sill platformën tënde, hartën tënde me disa kritere në mënyrë që ne ta miratojmë me konsensus pavarësisht se i kemi votat edhe pa ty dhe ai kurrë nuk e bëri një gjë të tillë. Kujt i interesonte kjo, demokratëve? E shikoni vetë.