"Nuk doja të vdisja e virgjër", një monodramë me një mesazh të madh
Në teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe tek Art Turbina së shpejti do të vihet në skenë “Nuk doja të vdisja e virgjër” një monodramë me një mesazh të madh që flet për dëshirën e madhe për të jetuar në të gjitha dimensionet si e barabartë mes të barabartëve.
Ina Gjonçi aktorja që sjell këtë monodramë në emisionin "Jeto me orën" u ndal tek personazhi duke thënë se mesazhi që përçohet është përtej fizikes.
"Trupi i një njeriu është në një proces ndryshimi të vazhdueshëm, mendja shkon në sinkron. Vajza që është në qendër të historisë duhet të përshtatet me ndryshimin që i vjen pas aksidentit "-u shpreh Gjonçi.
Suela Lala një ndër ideatoret e shfaqjes tha se synimi është të përçohet mesazhi i veçantë për ta parë diversitetin edhe në këtë formë. Gjonçi tha se ka dashur ti japë personazhit një dimension shpirtëror përtej karrocës me rrota.
“Virgjëria këtu nuk është vetëm në konceptin fizik por në shumë dimensione, pra të mos vdesësh e virgjër e paprekur nga jeta" u shpreh ajo.
“Nuk doja të vdisja e virgjër”, bazuar në librin e shkrimtares italiane me aftësi të kufizuara, trajton zbulimin e seksualitetit, marrëdhëniet intime dhe “gruan” brenda një gruaje me aftësi të kufizuar.
Libri fillon me një ndryshim të papritur në jetën e Barbaras, kur ajo ishte pak më shumë se pesëmbëdhjetë vjeç dhe humbet aftësinë për të ecur. Pesëmbëdhjetë vjeç është mosha e përplasjeve të para, rrahjeve të zemrës, dashurisë dhe zbulimit të trupit.
Nga të gjitha humbjet, që aksidenti ka sjellë me vete, më i padurueshëm është mendimi për të mbetur e virgjër, përgjithmonë. Virgjëreshë jo vetëm në trup, por në përvoja, në jetë, gabime, suksese, dështime, udhëtime, etj.
E armatosur me guxim, ironi dhe shumë kuriozitet, Barbara do të përballet me të gjitha revolucionet e imponuara nga gjendja e re, derisa ta rigjejë veten në një trup të ri. Në një vorbull situatash tragjikomike dhe djemsh e burrash të sikletshëm, bujarë, herë të butë, e herë mizorë. Barbara merr nismën të zbulojë dashurinë dhe seksin, me të njëjtat impulse, zhgënjime, entuziazëm që të gjitha gratë, edhe ato që ecin mbi dy këmbë, i dinë shumë mirë.
Shfaqja synon të sjellë në vëmendje të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në një këndvështrim ndryshe nga ajo që ne kemi hasur çdo ditë. Kjo shfaqje është një përpjekje për të hapur diskutime dhe me shpresë, gjithashtu mendjet tona, në lidhje me temën tabu të seksualitetit dhe marrëdhënieve intime të personave me aftësi të kufizuar.
Monodrama do të vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Arturbina, në datat 3, 4 dhe 5 Dhjetor në orën 19:00.


