“Nënë Tereza në jetën time”, promovohet libri i Liri Berishës, vjen në formë kujtimesh

Liri Berisha rikthehet në publik, këtë herë duke ndarë me lexuesit një libër me kujtime për Nënë Terezën. Ajo thotë se libri risjellë në vëmendje vlerat e paçmuara të bamirëses shqiptare teksa fton të rinjtë ta lexojnë atë.

Libri “Nënë Tereza në jetën time” risjellë në sytë e publikut Liri Berishën, ish-zonjën e parë dhe bashkëshorten e liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Duke dashur t`i qëndrojë larg betejës politike të bashkëshortit të saj, Liri Berisha vjen si autore e një libri ku tregon njohjen e saj me Nënë Terezën, duke ndarë emocione nga kjo histori e duke theksuar vlerat e mëdha e të paçmuara të bamirëses shqiptare.

"Ka brenda emocionet, ngjarjet, kujtimet, bisedat e mia me Nënë Terezën. Ka njohjen time me Nënë Terezën atëherë unë nuk e njihja se kush ishte, kur e njihja si vajza me emrin Gonxhe që bënte të lotonte shpesh herë nënën Drane dhe motrën e saj nga malli," thotë zonja Berisha.

Libri thotë ajo duhet lexuar sidomos nga të rinjtë, që jo të gjithë e njohin veprimtarinë e Nënë Terezës.

"Për mua ka qenë model i papërsëritshëm, ka ndikuar fuqishëm në jetën time. Është një simbol i përbotshëm vlerash për të cilat brezi i sotshëm nuk i njeh," shtoi zonja Berisha.

Libri i Liri Berishës që vjen në formë kujtimesh shoqërohet nga shumë fotografi personale të autores me Nënë Terezën.