Banorët kundër projektit të ri të Unazës: Projekti i vjetër kalonte në lëndinë, tani dëmtohen 60 familje

60 familje në  zonën e Shkozës rrezikojnë të mbeten pa shtëpi, pasi sipas tyre, gjurma e vjetër e projektit të Unazës së Madhe ka ndryshuar. Devijimi  në këtë segmenti për banorët është i padrejtë, pasi udhëzimet ndër vite janë marrë për investime në pjesën lindore, ku edhe kalon gjurma e re.

Projekti i  Unazës së Madhe, i devijuar në segmentin Shkozë- Kodra e Priftit ka nxjerrë në protestë banorët e kësaj zone.

Këtë të shtunë ata dolën në një deklaratë duke kërkuar që  projekti të qëndrojë në gjurmën e vjetër,  pasi i ndryshuari sipas tyre prek 40 banesa. 

"Nuk bëhet fjalë që mos bëhet Unaza. Unaza të bëhet se bëhet për të mirën tonë, për të mirën e popullit, po bëhet llaf pse me hile. Kjo pjesa që është këtu pa shtëpi fare e kanë lënë sepse bie Unaza e Madhe dhe të gjithë njerëzit janë shmangur, dolën në krahun tjetër."

 Megjithëse nuk kanë një dokument zyrrtar për këtë devijim, banorët thonë se kanë pasur mjaftueshëm indicie për të kuptuar ndryshimin.

"Nga bashkia e Tiranës nuk na është bërë asnjë konsultim publik për këtë gjë që do ndërtohet. Ne e kemi marrë vesh kur kanë filluar matjet, dhe matjet kanë filluar në fshehtësi."

Tokat i kanë blerë 20-30 vite më parë dhe me rekomandim nga bashkia që të vendoseshin në zonë lindore, pasi aty ishin të mbrojtur nga projekti   i unazës së madhe.

"Në bashkinë e kohës që kemi pyetur na kanë thënë gjithmonë në lindje të rrugës do të merrni tokë për të ndërtuar."

"Kam shkuar në bashki, kam pyetur atje kërkova topograf, më drejtuan në një zyrë. Po je në lindje nuk të zë më thanë."

 Vitet e punës, dhe lekët që kanë hedhur në këto banesa, rrezikojnë të shemben, ndaj dhe kërcënojë me akte ekstreme.

"Do hip atje lart dhe nuk do lejoj të më shembet shtëpia, unë nuk ik kurrë nga familja. E kemi bërë me gjak, kemi ndenjur pa bukë."

 Në gjurmën e vjetër, apo siç njihet ndryshe projekti i Adil Çarçanit  prekeshin 9 banesa, ndërsa i riu, i ndryshuar së fundmi nxjerr në rrugë 60 familje.