Ende enigmë fati i 28-vjeçarit nga Erseka që u zhduk më 1 nëntor, policia dyshon se është larguar jashtë vendit nëpërmjet malit
Zhdukja e 28 vjeçarit Sherif Mukaj në Kolonjë mbetet e mbushur me mister. Hetimet janë shtrirë deri në Shkodër, por nga i riu nuk ka asnjë gjurmë. Një prej pistave të forta është se ai mund të ketë kaluar drejt Greqisë përmes Malit, për arsye që mbeten të dyshimta.
Ende asnjë gjurmë nga Sherif Mukaj, 28 vjeçari nga Kolonja i zhdukur në mënyrë misterioze prej 1 Nëntorit.
Hetimet janë shtrirë deri në Shkodër, pas një telefonate ku thuhej se një person i ngjashëm me të riun ishte parë në një lokal në kryeqendrën e veriut.
Por kërkimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat, pasi kur kanë parë kamerat e sigurisë familjarët kanë deklaruar se i riu i pretenduar nuk ishte Sherif Muka.
28 vjeçari për herë të fundit u pa në Ersekë ku konsumoi një kafe me disa miq.
Ai kishte lënë të parkuar makinën, brenda të cilës u gjet karta e identitetit ndërsa në banesë iu gjet një telefon i cili është dërguar për ekspertizë.
Një celular i dytë që 28 vjeçari mbante ka lëshuar sinjal deri më datë 5 Nëntor dhe më pas humb çdo gjurmë.
Prindërit e kthyer nga Amerika pasi humbën kontaktet thonë se ai nuk ka pasur konflikte, ndërsa edhe Policia e Kolonjës, konfirmon se Sherif Mukaj nuk rezulton person me precedentë.
Familjarët thonë se në muajin qershor iI kishin dërguar 5 milion lekë, dhe ai nuk ai nuk i kishte vënë në dijeni qoftë edhe për probleme ekonomike.
Historia e mbuluar me mister ka bërë që hetimet të shtrihen në disa pista.
Një prej tyre është ajo e largimit drejt Greqisë përmes malit, për arsye që mbeten të paqarta dhe të dyshimta.
