Projektbuxheti 2022, Soko: Qeveria përveçse i la njerëzit që ta përballonin vetë krizën, si 'mal mbi mal' i hipi dhe taksat
Projektbuxheti i viti 2022 ka sjellë debate mes opozitës dhe mazhorancës në Parlament por edhe në Komisionin e Ekonomisë për transparencën, ndarja e buxhetit dhe rritja e borxhit.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se më tepër se sa buxheti është paketa fiskale ajo që vret më tepër.
Soko: Edhe buxheti ka problemet e veta sepse arsimi është i nënvlerësuar për të 8,10,15 nuk e di se sa vite u bënë që arsimi nuk është më një prioritet dhe duket sikur kjo shoqëri e cila po vuan kaq shumë dhe kaq shumë sinjale që vijnë nga kjo shoqëri për nevojë urgjente për ta filluar nga arsimi sepse mungesa e arsimit na prodhoi këto realitete që na trondisin çdo ditë. Gjenezën e kanë te fakti që ne kemi mbetur një popull i prapambetur. Prapambetja kryesore është arsimi.
Zoti Pano sqaron arsyet pse problemi më i madh është paketa fiskale.
Soko: Ne patëm dy vite të rënda dhe 2021 po ashtu kaloi me këtë vorbullën e madhe të Covid, ekonomia po vuante. Kur ti je duke vuajtur, të gjithë presim që qeveria në momentin e hartimit ët buxhetit të paktën mos prekë taksat, minimalisht. Normalisht do duhej që qeveria të kujdesej, të bënte disa lëshime që qytetarët të fillojnë të ndiejnë diçka, por edhe bizneset e dëmtuara nga masat karantinore të fillojnë të marrin diçka, të ndjejnë lehtësi nga pesha e madhe fiskale që kanë.
Por, sipas ekspertit në këtë moment kur të gjithë presin që qeveria t'i vijë në ndihmë qytetarit apo biznesit, qeveria i rëndon taksat.
Soko: Qytetarët po e përballojnë vetë rritjen e çmimeve me atë që kanë, qeveria nuk ka dhënë asnjë ndihmë. Qeveria përveçse i la njerëzit që ta përballonin vetë si mal mbi mal i hipi dhe taksat. Njerëzit përveçse përballojnë çmimet e rritura nga tregu, tani duhet të përballojnë dhe taksat e ngritura. Shqipëria nuk është Amerikë. E gjitha kjo vjen në momentin më të keq, ne sapo dolëm nga kriza.
Eksperti shtoi se kjo që po ndodh është vullnet i qeverisë. Sipas tij ka një vullnet destruktiv. Qeveria duhet të kishte qenë shumë e kujdesshme, sipas tij.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
