Tjetër veting/ Ministria e Brendshme do të fusë në sitë pronarët dhe bizneset e armëve të zjarrit


Ministria e Brendshme dhe qeveria planifikojnë të nisin kontrollin e pronarëve dhe bizneseve të armëve të zjarrit. Ky proces sipas materialit të siguruar nga Ora News kërkon të parandalojë ngjarje kriminale dhe të rrisë sigurinë në treg.

"Trafikimi i armëve të zjarrit, incidentet dhe veprat kriminale të kryera me armët e zjarrit në Shqipëri mbetet ende një fenomen shqetësues, i cili mund të trajtohet vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale, ku do të përfshihet një gamë e gjerë e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. Një tjetër fenomen kërcënues për të ardhmen mbetet edhe shfaqja e formave të reja të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit përmes kolive postare apo postës së shpejtë, tregtimit të paligjshëm online, prodhimi i pjesëve të armëve në 3D etj. të cilat kërkojnë një përgjigje ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse dhe mbështesin nevojën e një kuptimi më të gjërë të qëllimeve të politikave të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe adresimin ose parandalimin në kohë të këtyre formave të reja të paligjshmërisë në fushën e AME," thuhet në planin e firmosur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Në planin që tashmë është hedhur për konsultim thuhet se rritja e kapaciteteve të zbulimit dhe hetimit të rasteve të veprave penale me armë zjarri, trafikimit të armëve të zjarrit dhe rritja e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese brenda vendit dhe të huaja kërkon një kontroll dhe verifikim më të imtësishëm të figurës (vetting) për operatorët ekonomikë, personelin (administrator, pronar, punonjës) që kanë objekt veprimtarie importimin, tranzitimin dhe tregtinë e armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (AME).

"Aktivitetet e parashikuara në Planin e Veprimit 2022-2024 kanë si synim të përmirësojnë funksionimin e sistemit gjithëpërfshirës të kontrollit të AME-ve nëpërmjet forcimit të mekanizmit të parandalimit përmes informimit dhe ndërgjegjësimit, rritjes së kapaciteteve të strukturave dhe përdorimit të informacioneve të inteligjencës, por edhe përmes identifikimit, hetimit, zbulimit dhe ndjekjes penale të autorëve të përfshirë në vepra penale të lidhura me AME," thuhet në plan.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Planit të Veprimit 2022- 2024, të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 është 758,959,194 Lekë (6,170,400 Euro.)

Dokumenta bashkëngjitur