"Do hapim shkollë edhe për peshkatarë", Rama: Pagat e kapitenëve janë më të larta se pagat e ministrave

Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama prezantoi buxhetin e vitit 2022 për peshkimin. Kreu i qeverisë u shpreh se duhet një shkollë profesionale për industrinë e peshkimit dhe një markatë në Portin e Durrësit. Gjithashtu ai u bëri apel peshkatarëve që të aplikojnë për të përfituar nga fondi prej 41 milionë eurove nga BE.

Brenda vitit duhet të hidhen themelet për një shkollë profesionale për peshkimin dhe markatën në Portin e Durrësit. Janë këto detyrat që kryeministri Rama i caktoi zëvendës ministrit të Bujqësisë, Roland Kristo në prezantimin e buxhetit të vitit 2022 për sektorin e peshkimit.

Rama: Na duhen shkolla, na mungojnë specialistët e nivelit të lartë. Të ndërtojmë shkollën profesionale në shërbim të industrisë dhe që të jetë e lidhur drejtpërdrejt me praktikën. Duhet të përcaktojmë ku është vendi i duhur për shkollën dhe të fillojmë punën. Nuk mund të vazhdojë kjo histori që gjithë ajo struktura drejtuese teknike e flotës tonë të jenë turq e egjiptianë aq më tepër që pagat e kapitenëve janë më të larta se pagat e ministrave. Edhe për shkollën do të punojmë. Brenda vitit të ardhshëm duhet të hapim themelet.

E kemi rritur peshkimin me 240%, duam ta rrisim prapë po kaq. Këtu duhet të bëhet markata model, me standardet më të lartë të Bashkimit Europian. Ne do të garantojmë financimin, ju do fusni një pjesë të vogël, ne një pjesë të rëndësishme dhe pastaj pjesën tjetër do ta marrim me garanci sovrane. Menaxhimin e markatës e bëni ju, 1 vit kohë ke. Të mbajmë Landin zgjuar, sinqerisht ke rënë në gjumë. 

Nga Durrësi teksa prezantonte buxhetin, kryeministri Rama tha se aktualisht kompanitë e peshkimit i paguajnë peshkatarët me një rrogë prej 800 mijë lekësh të vjetra. Kreu i qeverisë ftoi studentët e diplomuar që ankohen se nuk gjejnë punë t’i bashkohen industrisë së peshkimit.

Rama: Paga më e ulët që ju jepni për të punuar në peshkim është 800 mijë lekë. Vijnë nga Turqia dhe Egjipti për të punuar këtu në Shqipëri. Disa me diploma Kristali kërkojnë punë, s’ka punë. Te vijnë të trokasin në dyert e industrisë së peshkimit, e kanë punën gati këtu.

Ndër të tjera ai këshilloi peshkatarët të krijojnë një strukturë ekspertësh për të asistuar subjektet në shkrimin e projekteve për përfitimin e 41 milionë eurove nga BE. Ndërsa ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca bëri me dije se për peshkimin do të vihen në dispozicion 702 milionë lekë.