Pastrimi i 18 milionë eurove, dëshmojnë sipërmarrësi Francesco Zummo e financieri Fabio Petruzzella
Prokuroria e antimafias italiane ka marrë në pyetje dy prej personave kryesorë të dyshuar në skemën e pastrimit të 18 milionë eurove për të cilën është shpallur në kërkim edhe biznesmeni Rezart Taçi. Francesco Zummo e financieri Fabio Petruzzella kanë mohuar akuzat para prokurorëve italianë duke pretenduar se nuk kanë kryer veprime të paligjshme.
Prokuroria italiane e Antimafias është vënë në lëvizje në lidhje me skemën e pastrimit të 18 milionë eurove përmes llogarive bankare të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi, i shpallur në kërkim për këtë çështje.
Autoritetet italianë kanë marrë në pyetje dy protagonistët kryesorë të dosjes hetimore të pastrimit të mbi 18 milionë eurove, për llogari të një sipërmarrësi i akuzuar për riciklim të kapitaleve të mafias siciliane Cosa Nostra. Për këtë çështje është shpallur në kërkim edhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi i cili po hetohet nga SPAK bashkë me bashkëpunëtorët e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo të cilët janë arrestuar.
Sipërmarrësi 90 vjeçar Francesco Zummo është paraqitur para prokurorit Alfredo Motalto i shoqëruar nga avokatët e tij Gioaçhino e Sbaçi, ku nuk ka pranuar t'i përgjigjet pyetjeve.
Ai ka zgjedhur heshtjen duke lënë gjithçka në duart e avokatëve mbrojtës. Ndryshe ka qenë sjella e ekonomistit Fabio Petruzzella, i cili përballë prokurorëve i ka konsideruar akuzat ndaj tij si "fjalë vetëm fjalë", duke zvogëluar peshën e tyre.
Financieri Petruzzella, i shoqëruar nga avokatët e tij Roberto Tricoli e Luigi Micel, e ka konsideruar punën e tij të ligjshme duke justifikuar se transferimi i parave po kryehej në një fazë kur pasurisë së sekuestruar prej 150 milionë euro të sipërmarrësit sicilian Francesco Zummo, i kishte skaduar afati i masës paraprake "nën sekuestrim", por që për vërtetësi të fakteve u shndërrua në akt përfundimtar me vendim të Gjykatës së lartë.
Prokurorët italianë akuzojnë financierin Fabio Petruzzella, se ka kryer dhe operacione të tjera për të lëvizur paratë e sipërmarrësit në shërbim të mafias siciliane përmes përvetësimeve fiktive të pasurisë, që më pas do t'i rikthehej përsëri Francesco Zummo. Skema e pastrimit të parave u zbulua nga prokuroria italiane, por pas të dhënave për transferimin e 18 milionë eurove në një bankë në Tiranë, SPAK u vu në lëvizje duke ngritur akuzë për pastrim të produkteve të veprës penale, ndaj Rezart Taçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo.

