"Drejtësi për Mateon 8 vjeç" Revolta e familjarëve në Fier, hyjnë me forcë në gjykatë. Duan rikthimin e dënimit me varje

Momente dramatike u shënuan sot paradite në Gjykatën e Fierit ku sot paradite (18 nentor 2021)  ishte caktuar dhënia e masës së sigurisë  për Klodian Çalamanin, autorin e vrasjes dhe groposjes së Mateos, vetëm 8 vjeç. Ngjarja që shokoi mbarë shoqërinë ndodhi më 16 nëntor 2021 në fshatin Grecalli të Fierit.

Nëna, babai, vëllai i madh i 8 vjeçarit Mateo Vasiu dhe familjarë të tjerë mësynë ambientet e gjykatës duke kërkuar sallën ku mendonin se mbahej 38 vjeçari. 

Ata thyen derën dhe u futën me forcë në ambientet e gjykatës pak para nisjes së seancës për vlerësimin e  masës së sigurisë për Klodian Çalamani, fqinji 38 vjeçar që u vrau fëmijën.

Policia dhe prokuroria e Fierit e arrestuan menjëherë, Klodian Çalamanin, për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”.

Në derën e gjykatës nëna e të miturit në gjëndje të rënduar psikologjike kërkoi hakun e të birit ndërsa zbuloi detaje si e kishte mashtruar autori të birin.

"I tha Mateo ik më merr një bukë e ma sill në shtëpi. Ia çoi ia futi me lopatë e la të vdekur. Ta djegim në mes të Fierit"

Edhe i ati i shokuar kërkon drejtësi.

"Më nisi çunin për bukë. Të vejë çuni ti marrë bukën, t'ja çojë bukën atij dhe të më vrasë, kjo më ka mbetur gozhdë. Të vdes unë tani dhe të shikoj çunin aty ku është . Jam i vdekur, nuk di çfarë të them".

Familjarë dhe qytetarë iu bashkuan revoltës së familjarëve dhe nga ora 09:00 deri në mesditë oborri i gjykatës së Fierit ishte arene e përplasjeve.

Përballë zemërimit të familjarëve gjykata u tërhoq dhe masa e sigurisë u dha në mungesë.

Ndërkohë të afërmit nisën peticion për dënim me vdekje. 

Fushata për rikthimin e dënimit me vdekje do të përhapet në të gjithë Shqipërinë.  

Në dëshminë e tij, të cilën Ora News e disponon, 38 vjeçari tregon me detaje si e ka goditur djalin dy herë me kazmë deri tek momenti i gjetjes nga policia të trupit të pajetë.

Pasi e ka goditur fëmijës "i ka lidhur duart mbrapa me një lidhëse këpucësh dhe e ka hedhur në gropë dhe mbuluar."

"Më pas qëndrova në shtëpi, në oborrin e shtëpisë time dhe nuk kam lëvizur fare prej saj. Nuk më ka parë asnjë person dhe nuk i kam treguar asnjë personi...…”.