Tiranë: Merr flakë apartamenti në Fresk, evakuohen banorët, disa në spital. Dëshmia: Vinte era gaz në shkallë por askush nuk fliste
Rrjedhja e bombolës se gazit shkrumboi një apartament në zonën e Fresku. Fatmirësisht ngjarja u mbyll pa pasoja tragjike. Banorët u evakuuan në kohë dhe veç disa prej tyre morën trajnim në spital por janë jashtë rrezikut për jetë.
Pakujdesia në përdorimin e bombolës së gazit ka vënë në rrezik jetën e dhjetra banorëve në një pallat në kryeqytet. Një zjarr, që paraprakisht dyshohet për shkak të rrjedhjes së gazit, përfshiu katin e dytë të banimit në këtë ndërtesë në Fresk pasditen e të mërkurës.
Flakët dhe tymi janë përhapur edhe në katet e tjera duke kërcënuar banorët që ndodheshin aty.

Shumë prej tyre kanë mundur të dalin vetëm me ndihmën e efektivëve të shërbimit zjarrfikës.
Disa, mes tyre edhe fëmijë, u shoqëruan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Banesa ishte marrë me qira nga një çift të rinjsh, të cilët, siç shprehen banorët janë përballur me shpërthimin sapo kanë hyrë në apartament.
Fqinjët e tyre thonë se përgjatë të mërkurës kanë ndjerë erën e gazit në pallat ndërsa nuk kanë mundur të njoftojnë të rinjtë.
“Ishte një tmerr. Njerëzit ishin brenda, kalamaj të vegjël, u bërtisnim policëve, por s’donin të ia dinin fare.”
Shtëpia që u përfshi nga flakët u shkrumbua e gjitha ndërsa banorët do të duhet të presin deri në pastrimin e plotë të apartamenteve nga tymi dhe aroma e rëndë.
Për fat të mirë ngjarja nuk shkaktoi dëme në njerëz por është një kujtesë për rrezikshmërinë që sjellë pakujdesia në përdorimin e bombolave të gazit që jo pak herë kanë marrë edhe jetë njerëzish.

