Në mandatin e 3 rrogat e mësuesve do rriten me 32%", Kushi: Fond 950 milionë lekë për arsimin në vitin 2022

Gjatë prezantimit të Projekt-Buxhetit të vitit 2022 për arsimin, ministrja Evis Kushi bëri më dije se gjatë mandatit të tretë synimi është rritja më 32% e pagave të mësuesve. Ajo u shpreh se një pikë e rëndësishme në projektbuxhetin e vitit 2022 është edhe përmirësimi i infrastrukturës mësimore në të gjitha shkollat e vendit.

Kushi: Objektivi ynë për këtë mandat është që pagat të rriten me 32%. Për vitin 2022 pagat do të rriten me 6% për të gjithë punonjësit mësimorë, edukatorë dhe psiko-socialë në të gjitha shkollat tona, në të gjithë vendin. Një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit për vitin 2022 do të jetë përmirësimi i infrastrukturës mësimore. Ne jemi të vetëdijshëm që ende nuk kemi bërë aq sa duhet për infrastrukturën e brendshme shkollore në mënyrë që të garantohet një arsim cilësor, një proces sa më të mirë mësimor për nxënësit tanë. Buxheti i vitit 2022 parashikon 400 milionë lekë për të furnizuar rreth 100 shkolla me laboratorë bashkëkohorë për lëndët kimi, fizikë dhe biologji si dhe 570 milionë lekë për fuqizimin e laboratorëve të informatikës.

Me buxhetin e vitit 2022 me një fond prej 950 milionë lekësh ne do të sigurojmë mbulimin e shpenzimeve të transportit për nxënësit që banojnë më shumë se 2 kilometër nga vendbanimi i tyre nga shkolla si dhe transportin për 12 mijë mësues që punojnë më shumë se 5 kilometër larg nga vendbanimi. Nga janari i vitit 2022 rimbursimi i biletës për transportin e nxënësve do të jetë 50% më i lartë.