Kushi: Do rishqyrtojmë të gjitha tekstet shkollore, 110 mln lekë për shkollat e arsimit special

Prezantohet buxheti 2022 për Ministrinë e Arsimit, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka bërë me dije se është evidentuar problemi i parregullsive në tekste, shkollore duke njoftuar se ka nisur rishqyrtimi i të gjitha lëndëve shkollore.

Kushi: Për sa i përket teksteve shkollore kemi dalë që me një buxhet 1.1 miliardë lekë çdo vit të ofrojmë tekste shkollore falas në përdorim për rreth 280 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë, por edhe 20 mijë nxënës të arsimit të mesëm të lartë nga shtresat sociale në nevojë. Pavarësisht se tekstet që kemi sot të përkthyera nga Oxford dhe Kembrixh janë shumë herë më të mira se ato që kishim dje, ne përsëri jemi plotësisht të vetëdijshëm që ka nevojë për përmirësime.

Kemi rifilluar nga puna për të rishikuar në detaje të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, për të korrigjuar çdo paqartësi dhe pasqyrim jo të përshtatshëm  të realitetit dhe të ngremë në një nivel më të lartë cilësinë e arsimit. Me një buxhet prej 20 milionë lekësh do të vazhdojmë pasurimin e fondit të bibliotekave në shkollat tona. Për nxënësit me nevoja të veçanta kemi planifikuar 110 milionë lekë për shkollat e arsimit special.

Kushi u shpreh se do t'i mbështesin  mësuesit në mënyrë të palëkundur.