Hodhi armën dhe ja "mbathi", "Shqiponjat" arrestojnë 36-vjeçarin nga Tepelena
Policia e Sarandës ka arrestuar një 36-vjeçar i cili qarkullonte me armë zjarri me vete.
Shërbimet e policisë "Shqiponja" në bashkëpunim me policinë e Sarandës kanë ndaluar për kontroll shtetasin A. C, në lagjen Nr.3, Sarandë.
Burime nga blutë e Sarandës bëjnë me dije se ky shtetas ka tentuar t'i shmanget kontrollit fizik, duke u larguar me vrap dhe duke hedhur nga çanta e tij e dorës, një armë zjarri pistoletë.
Menjëherë ai është vënë në pranga nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë dhe 1 krehër me fishekë luftarak.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatit të Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 36 vjeç, banues në fshatin Kalivaç, Tepelenë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.
