INSTAT: Shqiptarët lindin më pak

Shqiptarët sa vjen e po lindin me pak. Këtë e tregojnë të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave për tre muajt me te fundit. Janë regjistruar 603 foshnja më pak se korrik-shtatori i 2020.

Referuar këtyre shifrave numri i foshnjave që kanë ardhur në jetë gjatë kësaj periudhë është 7 404, duke shënuar një rënie me 7.5 %.

Vetëm një qark i vendit ka shënuar rritje, Kukësi me 8 foshnja me tepër, ndërkohë në 11 qarqet e tjera lindjet janë pakësuar. Kryeqyteti numëron më shumë lindje, e lidhur kjo edhe me numrin më të lartë të banorëve, ndërsa numrin më të ulët të lindshmërisë në bazë të qarqeve e ka Gjirokastra me 114 lindje, ndjekur nga Berati.

Referuar këtyre të dhënave konstatohet se pavarësisht përpjekjeve te qeverise për të nxitur lindshmërinë, duket se politikat e ndërmarra nuk kanë dhënë efektin e pritshëm përfshirë këtu edhe bonusin e bebes, një program që nisi zbatimin prej vitit 2019.

Sa i përket vdekjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas janë 587 viktima më pak. Këto të dhëna tregojnë se diferenca mes lindjeve dhe vdekje të popullsisë në Shqipëri po ngushtohet nga viti në vit. Vetëm në tremujorin e tretë 2021, është pozitive me 1.367./Ora News/