“Luftë” për TVSH, fermerët e Myzeqesë këmbëkryq, përplasen me policinë që qeveria të dëgjojë 6 propozimet për bujqësinë

Fermerët e Myzeqesë u përplasën me policinë dhe bllokuan autostradën Lushnje-Fier, për të kërkuar nga qeveria disa ndryshime në paketën fiskalë 2022.

Ata çanë kordonin e ngritur nga blutë dhe u ulën këmbëkryq  në mes të rrugës si për të treguar hallin në të cilën ndodhen.

Ndërhyrjet për të hapur rrugën vetëm e tensionuan reagimin e fermerëve.

Fermerët u mblodhën pranë Rotondos së Plugut ne shenje proteste pas ndryshimeve në paketën fiskale që mes të tjerave parashikon edhe heqjen e subvencionimit me 6% të TVSH-së.

"Të vijë në terren dhe ta shohë vetë kryeministri se çfarë ndodh me fermerin."

Njerëzit që kanë dëgjuar thirrjen e qeverisë për të punuar tokën e tyre thonë se ndjehen të braktisur ashtu siç ndodhi këtë vit me prodhimin e tyre që u kalb në fusha .

"U ngrit nafta, korrenti, plehrat, kimikatet të gjitha, ne prodhimi na mbeti pa shitur, na u  kalb, ku do shkojmë? S'kemi më ne, jemi të mbaruar."

"Nuk po na jepet asnjë lloj mbështetje nga shteti, do t'i braktisim serrat."

Si zgjidhje për situatën e bujqësisë shqiptare sot, fermerët dhe shoqatat që i përfaqësojnë i janë drejtuar qeverisë me një liste me 6 propozime të cilat kërkojnë të përfshihen në Paketën e Re Fiskale.

"Kriza është shumë e madhe, sivjet 30% e fermerëve nuk kanë marrë fidanë për të mbjellë ëpr sezonin e ardhshëm, nuk kanë porositur."

Pas protestës së tensionuar, rreth 15 fermerë u shoqëruan në Komisariatin e Lushnjes për kundërshtim me forcë të policisë dhe bllokimin e rrugës.

Dhjetëra të tjerë më pas u mblodhën aty për të kërkuar lirimin e fermerëve protestues.