Me 15 kg kanabis në makinë, arrestohen 3 të rinj në Lezhë. Policia i gjen peshoren elektronike me vete

Policia e Lezhës ka sekuestruar 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe ka vënë në pranga 3 shtetas të cilët po e transportonin.

Sipas bluve të Lezhës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Rubiku”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: R. D., 29 vjeç, R. N., 20 vjeç dhe P. M., 21 vjeç, banues në Lezhë dhe Mirditë.

Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur "Ura Ushtarake", në Njësinë Administrative Rubik, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet e dyshuara, me drejtues shtetasit P. M. dhe R. D.

Gjatë kontrollit të automjeteve tip "Ford" dhe tip "Nissan", të drejtuar nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit R. N., pasagjer në njërin prej mjeteve, shërbimet e Policisë i gjetën një peshore elektronike.   

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, peshorja elektronike, 3 aparate celular dhe 2 automjete.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.