Rindërtohet Thumana, 365 familjet e para mësuan shtëpinë e reja që nuk janë gati për banim
2 vite pasi tërmeti shkatërroi Thumanën, aty ka nisur të premten shpërndarja e shtëpive me short. Qindra banorë mësuan se cila do të jetë banesa e re e tyre, ndërsa shpresojnë për rigjallërimin e jetës në fshatin i cili u gjunjëzua nga lëkundjet e forta të tërmetit.
Mëngjesin e 26 nëntorit të 2019 fshati Thumana në Fushë Krujë u zgjua pothuajse i rrënuar tërësisht, nga tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës rihter.
Shumica e pallateve dhe shtëpive private ishin kthyer në rrënoja, duke marrë jetë 24 njerëzve e duke lënë mijëra të tjerë pa kulm mbi kokë.
Por gati dy vite pas mëngjesit tragjik, të premten 363 familjet e para mësuan se cila do të jetë streha e tyre.
Me anë të shortit, zgjodhën shtëpitë të cilat nuk janë ende gati për banim.
Shprehen të lumtur për shtëpitë e reja, ndërsa shpresojnë tanimë për punësimin e tyre.
"Ishalla hapen edhe vende pune. Nga 8 dhoma që më takonin, marr 5 dhoma," shprehet një banor.
Më herët ndarja e shtëpive me short ka nisur në Bubq dhe në Fushë-Krujë, ndërsa pritet që të bëhet edhe në zonat e tjera që u prekën nga tërmeti i nëntorit të dy viteve më parë.

