Peshkimi i paligjshëm, fenomen shqetësues, “Pinarët” me kallama kanë “zaptuar” liqenin e Shkodrës
Peshkimi i paligjshëm mbetet fenomen i pranishëm në Liqenin e Shkodrës, ku dinamiti dhe gjeneratorët janë zëvendësuar me inverter më të vegjël që prodhojnë energji. Gardhet me kallama që përdoren për izolimin e peshkut, janë një tjetër fenomen që ka pushtuar liqenin.
Dinamiti dhe gjeneratorët janë zëvendësuar me inverter të vegjël, por peshkimi I paligjshëm në Liqenin e Shkodrës nuk është ndalur.
18 raste janë arritur të kapen nga fillimi i vitit, por fenomeni vijon të mbetet shqetësues, përtej rënies së shifrave krahasuar me disa vite më parë.
"Normalisht që gjuetia e paligjshme është fenomen shqetësues dhe derisa të ekzistojë shqetësimi është më se i drejtë, "tha Arjan Çinari, drejues i OPM Shkodër.
Liqeni i Shkodrës është pushtuar vitet e fundit nga "pinarët" siç njihen ndryshe gardhet me kallama që përdoren për zënien e peshkut.
Një pjesë e madhe e tyre janë të paligjshme dhe prandaj në bashkëpunim me ministrinë e Bujqësisë, pritet të nisë një aksion i gjerë për heqjen e tyre.
"Është krijuar plani i masave për pastrimin e këtij fenomeni, pra gjuetia me "pinarë" shumë shpejt do fillojnë të shkulen. Kostoja ëshhë e madhe se dihet që ata elementë që janë ngulur në tokë kanë një kosto për t'u shkulur. Organizata e menaxhimit të peshkimit ka një buxhet minimal, kemi kërkuar një kosto shtesë nga ministria e Bujqësisë dhe presim të na miratohet," tha Çinari.
Dëmtimi i florës dhe faunës së pasur mbetet problem pa zgjidhje në liqenin më të madh të Ballkanit që lag Shqipërinë dhe Malin e Zi.
