Reagon Rezart Taçi: Ky është një persekutim, do të kthehem në Shqipëri

“Ky është një persekutim 15-vjeçar, por nuk ka rëndësi. Do të rikthehem shpejt sepse besoj tek drejtësia dhe në fund do të zbardhet e gjitha”.

Biznesmeni shqiptar Rezart Taçi, në një intervistë ekskluzive të dhënë për Albanian Post, ka shfaqur qartësisht qëndrimin e tij pak orë pas shpalljes së arrestit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj tij dhe dy bashkëpunëtorëve.

Sipas Taçit, e gjithë çështja ka të bëjë me një persekutim të shtrirë në vite, me 13 procese gjyqësore ndaj tij.

“Në të gjitha ato unë jam shpallur i pafajshëm. Ky është një persekutim për faktin se unë dua të punoj në vendin tim dhe të kontribuoj për të dhe familjen time”, tha Taçi i pyetur nga redaksia e Albanian Post.

Mbi çështjen, ai thotë madje se të implikuar janë individë të caktuar, por pa i përcaktuar se kush ata janë. Megjithatë, në një çast të dytë, ai mund të vendosë t’i bëjë publikë.

Në njoftimin e SPAK, Taçi është i përshkruar si ish-biznesmen në fushën e naftës.