Paraqiti të dhëna të rreme për të favorizuar Viktor Ymerin, arrestohet ish-shefi i sektorit Ligjor i burgut të Peqinit

Ish-drejtori juridik i burgut të Peqinit është arrestuar  me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Shkak është bërë një shkresë e lëshuar prej tij për  Vitor Ymerin, ish-anëtarin e bandës së Gaxhanit, i cili ndodhet i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Favorizimi i të dënuarit Viktor Ymeraj duke paraqitur të dhëna të rreme në kartelën e tij, i ka kushtuar shtrenjtë ish-shefit të sektorit ligjor të burgut të Peqinit Gani Shehu, i cili është arrestuar me urdhër të SPAK.  

Arrestimi i tij është  bërë në orët e para të kësaj të enjteje ndërsa vendimi ishte miratuar një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme.

SPAK ka njoftuar se Gani Shehu paraqiti të dhëna false për Ymerajn në mënyrë që t’i mundësonte atij lirimin nga burgu.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit, me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë shkresa  me date 14 janar nga institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin.

Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj letre, insttiucionet hetimore kryen investigim të thelluar për vërtetësinë e të dhënave të pasqyruara aty.

Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme,  është ish-Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP së Peqin, Gani Shehu.

Viktor Ymeri, një ish-anëtar i bandës së Gaxhait në Vlorë, u dënua me 25 vite burg për dy vrasje të kryera në vitin 1999, por u u lirua ditët e fundit të dhjetorit 2019 me lirim para kohe me kusht.

Gjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani më 27 dhjetor vendosi për lirimin e tij të menjëhershëm, me argumentin se atij duhet t’i njiheshin edhe ditët e punës që kishte kryer në burgun e Peqinit.

Por liria e tij zgjati vetëm pak muaj pasi  vitin 2020 ai u arrestua  me urdhër të prokurorisë së Posaçme si bashkëpunëtor në vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.