Shkollë “nate” me dru në çantë, të vegjlit e shkollës “Bardhyl Pojani” në Maliq, mësim turn i dytë

Shkollë nate si në kohën e partisë, me dru në çantë bashkë me librat për ti bërë ballë të ftohtit të juglindjes. Në këto kushte po e vijojnë procesin mësimor 140 nxënësit më të vegjël të shkollës së bashkuar “Bardhyl Pojani” në Maliq.

Është ora 17:00 dhe në këtë kohë të vitit është errësirë e plotë.

140 nxënës të klasave nga e para tek e pesta në shkollën e Bashkuar “Bardhyl Pojani” në Maliq sapo kanë përfunduar mësimin turn i dytë.

"Dua të bëhet shkolla paradite."

"Mësimi mbaron në orën 5".

Faqe skuqur e të strukur nën xhupa nga i ftohti në klasa.

Për tu ngrohur, duhet që në çantë bashkë me librat të marrin edhe dru për zjarrin.

Soba me drutë e shtetit ndizet vetëm pas 15 nëntorit.

"Ngrohja është problem tjetër. Kemi sjellë nga shtëpia dru dhe sipas MAS tenderi për zjarret është në 15 nëntor."

Në këtë situatë, fëmijët thonë se nuk arrijnë të përqëndrohen dhe më shumë e kanë mendjen tek ushqimi se tek mësimi.

"Shumë e vështorë për fëmijët, orari i mbarimit të mësimit shumë i vonë."

"Ta kenë mendjen te mësimi, te gjumi apo te dreka?"

Shkolla e mesme e Bashkuar “Bardhyl Pojani" ka një kapacitet prej 360 nxënësish, ndërkohë që aty mësojnë më shumë se 500 të tillë duke bërë mësim me turne.