Fondi për emergjencat, kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Lekët ndahen sipas humorit të ministrive
Paratë për Bashkite nuk duhet të jepen sipas humorit të ministrave. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu i kërkon qeverisë të ndryshoje mënyrën e shpërndarjes së fondeve për bashkitë pasi sipas tij buxheti nuk është realist.
Vendoret shfaqin pakënaqësi për paratë e dhëna nga shteti për vitin e ardhshëm. Sipas tyre në buxhet nuk është refletuar kriteri më shumë para për ata që punojnë më fort. Pjerin Ndreu, kryebashkiaku i Lezhës kërkoi në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë një buxhet më realist.
"Ka disa problematika që lidhen me projektbuxhetin e 2022, nuk pasqyron çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Grantet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara duhet të shikohen. Shpërndarja e buxhetit në mënyrë të njëtrajtshme nuk është gjëja e duhur. Ajo që na shqetëson është renta minerare, e shumë e çuditshme që mbahet në nivelin 5%, është absurde," tha ai.
Gjithashtu, Ndreu shprehu rezerva për shpërndarjen e granteve dhe fondeve për emergjencat. Sipas tij, këto fonde duhet të kalojnë direkt nga qeveria tek bashkitë dhe jo përmes ministrive përkatëse sepse rrezikojnë të ndahen siç tha ai sipas humorit të ministrave.
"Tek emergjencat do shtoja që 4% duhet t'i kalojnë si buxhet bashkive. Një pjesë e këtyre u kalon bashkive, e një pjesë mbahet në formën e një granti për të cilën duhet të konkurrojnë bashkitë. Se ndodh ai fenomeni pastaj që merren këto e ndahen sipas humoreve të disa ministrave e ky është shqetësim. Nuk e di ç’hyn ministria këtu. Ministria mund të bëjë rolin e mbikëqyrësit nëse fondet shkojnë në drejtim të gabuar, por nuk mund të kryejë rolin e transmetuesit më jep mua lekë se unë do t’ia çoj atij," tha Ndreu.

Shqetësim për shoqatat e bashkive janë detyrimet e prapambetura të krijuara para dhe pas reformës territoriale. Opozita paraqiti një propozim.
"Të amnistohet çdo borxh që është në marrëdhënie bashki-qeveri, të shikohet mundësia e ndërhyrjes së qeverisë për borxhet e prapambetura. Të vendosen para drejtësisë ata që kanë abuzuar dhe të nisë një epoke e re, ku kryetarët mos të kenë hall si të shlyejnë borxhin, por të investojnë tek qytetarët," tha Agalliu.
Për opozitën është gjithashtu me rëndësi harmonizimi i tatim taksave te qeverise me tatim taksat e pushtetit vendor.

