“Ditët e Mios”, 22 piktorë nga e gjithë bota në Korçë të “kapin” ngjyrat e vjeshtës
Artistë nga e gjithë bota janë bërë bashkë në Korçë në koloninë artistike të vjeshtës, që organizohet prej 11 vitesh si homazh për Vangjush Mion, një prej mjeshtrave shqiptar të peisazhit mbi telajo.
Bashkëshortët artistë nga Shkodra, Xhaneta dhe Agim Kadillari, kanë vite që hedhin mbi telajo emocionet që u fal natyra shqiptare.
Këtë vjeshtë janë bërë pjesë e kolonisë ndërkombëtare “Ditët e Mios” që nderon mjeshtrin shqiptar të peisazhit.
22 piktorë nga disa vende të botës janë bërë këtë vit pjesë e organizimit që organizohet për të 11 vit radhazi.
Për katër ditë, ata do të vizitojnë Dardhën, Voskopojën e Boboshticën, ku veç bukurive të natyrës janë njohur edhe me mikpritjen shqiptare.
"Ne jemi nga Turqia dhe jemi këtu për Ditët e Mios, po shohim natyrën dhe jemi shumë të emocionuar për këtë. Dardha është shumë e bukur, fshat i lezetshëm. Është hera e parë dhe na pëlqen shumë ushqimi."
"Vij nga Greqia, jam i ftuar të pikturoj këtu në Korçë. Dardha është e bukur, vend shumë i mirë. Është vend i bukur dhe me pëlqejnë njerëzit, mikpritja e tyre. Është hera e tretë në Shqipëri, Shkodër, Gjirokastër dhe Dardhë. Do vij përsëri"
Punimet që do të krijohen gjatë kolonisë së artit do të ekspozohen më 28 Tetor në Korçë.

