Fatura e zgjatjes së vettingut, 4 miliardë e 500 milionë euro buxheti shtesë për dy vitet e ardhshme

Zgjatja e mandatit të institucioneve të vettingut pritet ti kushtojë shtetit 4 miliardë e 500 milionë euro. Kjo përllogaritje është bazuar në planifikimet e buxhetit të vitit 2022 për mbulimin e shpenzimeve të KPK, KPA dhe Komisionerit Publik. Fatura e lartë vjen në një kohë kur paketa e reformës në drejtësi parashikonte që në përfundim të mandatit të komisioneve, kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve ta bënin KLGj dhe KLP.

Katër miliardë e pesëqind milionë euro do ti kushtojë buxhetit të shtetit shtyrja e mandatit të institucioneve të vettingut si pasojë e fondeve të nevojshme për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPA-në dhe Komisionerit Publik.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2022 por dhe parashikimit për një vit më pas, fondet e vëna në dispozicion të institucioneve të reja të drejtësisë shkojnë në 6 milionë e 700 mijë euro, përfshirë këtu dhe Komisionin e Apelimit, i cili e ka mandatin të vlefshëm dhe për 6 vite të tjera.

Rezulton se të njëjtin fond institucionet e kanë pasur dhe në vitin 2021, duke pasur në dispozicion 155 punonjës.

Sa i përket rezultatit të punës, janë 460 dosje të trajtuara prej të cilëve 183 gjyqtarë dhe prokurorë që janë konfirmuar në detyrë dhe 171 janë shkarkuar pas verifikimeve.

Po ashtu janë dhe 70 të dorëhequr dhe 2 pezullime, të cilëve u shtohen dhe 26 raste që janë pa vendim.

Debati në parlament tashmë shtrohet për 340 përfaqësues të drejtësisë që janë në pritje të vettingut.

Kushtetuta përcakton që në vitin e ardhshëm verifikimin e pasurisë dhe figurës ta realizojnë KLP dhe KLGJ, ndërsa Komisionerin Publik e zëvendëson SPAK.

Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë në vitin e ardhshëm do të ketë 65 punonjës me një fond 1 milion e 600 mijë euro institucioni që monitoron gjyqësorin do të ketë në dispozicion 1729 personel dhe me një fond prej 29 milionë euro.

E njëjta situatë parashikohet dhe për vitin 2023, pavarësisht nëse KPK-së dhe Komisionerit Publik i shtohet apo jo mandati. Madje edhe SPAK i dyfishohet fondi, duke shkuar në rreth 1 miliardë lekë.

Tashmë diskutimi në parlament ka nisur politikisht nëse duhet shtyrë dhe me 2 vite mandati i institucioneve të reja të drejtësisë, apo do të zbatohet parimi i Kushtetutës për të kaluar filtrin përmes KLGJ, KLP dhe SPAK.