Dërgohen në gjykatë tre kontrollorët e Rinasit, akuzohen për “Pengim të qarkullimit ajror”
Tre kontrollorët e trafikut ajror në Rinas të arrestuar pas grevës disa ditorë të zhvilluar disa muaj më pare, do të përgjigjen para gjykatës për akuzën “pengimit të qarkullimit te mjeteve ajrore”. Prokuroria nuk ka provuar akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tyre për të cilën tre organizatorët u arrestuan.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish punonjësit e Kontrollit të Trafikut Ajror në Rinas Armando Fezga, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini që do të gjykohen për akuzën e “pengimit të qarkullimit të mjeteve ajrore” për të cilën rrezikojnë deri në tre vite burg. Çështja u hetua nga prokurorja Marjeta Zaimi, e cila ka dërguar dosjen në gjykatë për seancë paraprake.
Tre kontrollorët e arrestuar nga policia ne muajin prill pas një greve disa ditore me pretendimin se nuk ishin te aftë në punë për shkak të stresit. Ata u arrestuan fillimisht për akuzën e shpërdorimit të detyrës akuzë e cila nuk u vërtetua nga prokuroria. Për tre punonjësit e mësipërm, provë janë konsideruar biseda me njëri-tjetrin në ‘WhatsApp’, ku flitet për organizim të grevës dhe për braktisjen e vendit të punës, që çoi në mbylljen e aeroportit. Sipas bisedave të kryera në aplikacionin WhatsApp, Armando Fezga ka rezervuar në një hotel afër aeroportit 25 dhoma dyshe për stafin e kontrollorëve.
Muhir Muzini me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve, evidentohet duke orientuar punonjësit e tjerë për mënyrën e përpilimit të formularit të paaftësisë së përkohshme të punës.
Gjatë marrjes në pyetje, kontrollorët kanë mohuar se janë përfshirë në organizimin e një greve, por secili prej tyre ka thënë se e ka pasur të pamundur të shkojë në punë për shkak të stresit dhe për shkak të situatës së krijuar nga përgjysmimi I pagave

