Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon 19 vite burg për Blendi Tetën

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 19 vite burg për Bledi Tetën për vrasjen e Santiago Malkos. Teta është nën akuzë për vrasjen me paramendim të Malkos më 27 Gusht të vitit 2019. 

Blendi Teta, është i vetmi person i arrestuar për vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko.

Ndërsa personat e tjerë vijojnë të jenë në kërkim dhe gjykimi për Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Oltian Loga, Aleksander Manxhaku dhe Dritan Agaj, është pezulluar.

Teta mësohet se ka qenë punonjës i një pike bastesh aktivitet në të cilin dyshohet se ishte përfshirë edhe ish- polici i vrarë Santiago Malko.

Sipas prokurorisë Blendi Teta së bashku me dy persona të tjerë, pasi janë takuar në një lokal në zonën e freskut, kanë ndjekur lëvizjet e ish-efektivit Malko, deri pak momente para ekzekutimit.

Malko u ekzekutua në Tiranë mbrëmjen e 27 gushtit, ndërsa Teta ka mohuar akuzat për përfshirjen në krim duke thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.