Dy vite pas termetit rrezikojnë shtëpitë, banorët e pallatit të shpallur i riparueshëm protestë para bashkisë Durrës
Banorë të një pallati të dëmtuar nga tërmeti në Durrës rrezikojnë të humbin shtëpitë, pasi objekti që ishte shpallur i riparueshëm thuhet se është mënjanuar dhe për këtë do të rivlerësohet. Në kushtet e mungesës së informacionit zyrtar, ata janë ngritur në protestë për vonesat e rindërtimit dhe bonusit të qirasë.
Gati dy vite nga tërmeti i 26 nëntorit, banorët e një pallati në lagjen 12 në Durrës janë paralajmëruar se objekti që më herët ishte klasifikuar si i riparueshëm, mund të shembet.
"Pallati jonë është cilësuar DS3, qoftë nga rivlerësimi që u bë nga ndërkombëtarët, qoftë nga të vendit. Një pallat që është DS3 nuk ka pse të diskutohet nëse prishet apo nuk prishet sepse kështu thuhet edhe nga kryetarja; edhe mund të prishet."

Njoftimi edhe pse jo zyrtar u ka shtuar dyshimet banorëve për vonesën e bashkisë së Durrësit për riparimin e ambienteve të përbashkëta, ndërsa ata vetë tashmë i kanë përfunduar punimet e brendshme me bonusin e dhënë nga qeveria.
"Ne prandaj na vjen keq, se çdo familje ka marrë ato 5 milionë (të vjetra) për të bërë punimet e veta."
Pallati i vlerësuar DS3 sipas bashkisë, ka pësuar mënjanim, ndaj do të riekspertohet nga Instituti Kombëtar i Ndërtimit.
Por vonesa gati dy vjeçare për një përgjigje, sipas banorëve ngre vend për dyshime.
"Nuk e dimë, thjesht neglizhencë, neglizhencë e bashkisë."
"Kemi protestuar disa herë këtu te baskia dhe ansjëherë nuk na kanë marrë në konsideratë."

Ndryshimi i skenarëve në kohën kur prisnin të riktheheshin në shtëpi, ka shtuar pasigurinë mes banorëve të pallatit që tashme thonë nuk po marrin as bonusin e qirasë.
"Jemi në nëntor dhe nuk është hedhur bonusi as për shtatorin dhe as për tetorin. A mendojnë këta punonjës apo kryetarja e bashkisë si munn ta përballojmë ne qiranë."
Durrësi ishte bashkia më e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ku banorët në vazhdimësi kanë ngritur shqetësime për vonesa me procesin e rindërtimit.


