"Merrni masa ose nuk mbeten as rob e as lopë në fshat", agropërpunuesit: Çfarë Akademie, nuk kemi bagëti
Agropërpunuesit kërkojnë rritjen e fondit për rimbursimin e bujqësisë. Sipas tyre nëse kjo masë nuk merret në Shqipëri nuk do të ketë as njerëz por dhe as bagëti. Madje duke iu përgjigjur kërkesës për Akademinë e barinjve, shtohet se vendi ka nevojë për më shumë lopë e dele për të shmangur rritjen e mëtejshme të importit.
"Nuk duan njerëzit të shkojnë të mal të jenë barinj, është e vështirë. Nuk është vetëm çështje shkolle, është një profesion i trashëguar të cilin duam ta ruajmë. Do incentivojmë të rinjtë, do të shkojmë ti gjejmë, do bëjmë një Akademi për ta."
Kjo deklaratë e Ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, ka ngjallur jo pak batuta në rrjete sociale.
Por në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese shqetësim nuk është bërë mungesa e barinjve por e bagëtive.
"Nuk mund të blej unë me zero TVSH dhe ta shes me 20. Të mbyt produkti i Bosnjes dhe Serbisë. Nuk ka rëndësi këtu politika. Është ekonomia shqiptare, nuk ka më rob në fshat. Nuk ka interes ta mbajë o vëlla. Po se rregulluam këtë vit, vitin tjetër…lopa njëherë në vit pjell dhe pjellshmërinë e ka 70%. Kur të kujtohemi ne që të rregullojmë lopët këtu nuk ka mbetur as rob, as lopë. Këto budalliqet jo akademi barinjsh, këtu nuk ka lopë dhe dele. Çfarë akademi të besh aty, nuk ka rob. Merr botin nga Serbia, vjen këtu menjëherë. Që kur hyn në doganë i hyjnë 1000 euro në llogari ustait në Serbi, ndërmarrjes subvencion".
Deklaratat kundër mazhorancën u mbështetën nga opozita, por janë përfaqësuesit e agrobiznesit që kërkojnë strategji kombëtare.
"Mund t'u vijë radha ju nesër, është problem kombëtar ky nuk është problem politik".
Shifrat për të dhënat e bagëtive sipas tyre nuk janë të drejta.
"Unë jam veteriner me profesion. Në sistemin ruda ata kanë 15 vite. Lopa në ferma katër viça rron, katër vjet. Ai e mban 15 vjet në sistem dhe thonë kemi 289 mijë, ku janë 289 mijë lopë?"
E nëse nuk merren masa për këtë situatë, sipas tyre në Shqipëri do të mungojnë jo vetëm njerëzit por…
"Këtu nuk ka mbetur as rob, as lopë".
Konkurrenca me rajonin shihet shqetësuese sa kohë nuk ka subvencione të mjaftueshme.