Tentuan të vidhnin kasafortën e Xhamisë Lushnje, dështon përpjekja e dy të rinjve (shikoni videon)
Siç tregojnë këto pamje nga kamerat e sigurisë, dy persona u futën brenda objektit pasi thyen një dritare.
Për disa orë me radhë, ata tentuan të hapin kasafortën e institucionit.
Por kur janë bindur se ishte e pamundur, autorët dalin nga Xhamia dhe largohen.
Personat janë ende të paidentifikuar, por nga pamjet, dyshimet janë se mund të jenë adoleshentë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, dhe është denoncuar në policinë e Lushnjes nga Myftiu i Lushnjes, Gramoz Blliku.
Ai ishte njoftuar nga Imami i Xhamisë, për thyerjen e xhamave të dritares në Objektin fetar.
Mbi bazë të pamjeve të sigurisë, policia thotë se po punon për identifikimin dhe ndalimin e personave që tentuan të vjedhin xhaminë.
Orët e fundit disa persona janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje të cilët mund të kenë lidhje me dhunimin e xhamisë, por zyrtarisht ende nuk ka persona të ndaluar.
Objektet e kultit në Shqipëri në vazhdimësi kanë qenë shënjestër e hajdutëve.
Shumica e rasteve kanë mbetur pa autorë, ndërsa pas vjedhjeve që janë zbuluar kryesisht kanë qëndruar adoleshentë ose të rinj të cilësuar problematikë.
Këta të fundit, kryesisht tentojnë të vjedhin kasafortat ose sende të tjera me vlerë të cilat, rastet kanë vërtetuar se i shesin për të blerë lëndë narkotike.
