Autorë të katër vjedhjeve në Vorë, arrestohen dy persona, njëri i dënuar më parë
Dy persona janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin banesa dhe biznese në zonën e Vorës.
Policia pasi ka zbardhur dhe dokumentuar 4 raste të vjedhjeve ka arrestuar shtetasit P. T., 24 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe L. Gj., 23 vjeç, të dy banues në Vorë.
Nga veprimet hetimore policia bën me dije se shtetasit e mësipërm kanë vjedhur:
Më datë 07.11.2021, në rrugën “Kryengritja”, Kodër Vorë, në banesën e shtetasit M. Gj., dyshohet se kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte 5000 euro dhe 200.000 lekë të rinj;
Më datë 07.11.2021, në rrugën “Kryengritja”, Kodër Vorë, në banesën e shtetases F. Gj., dyshohet se kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte 600 euro;
Më datë 18.09.2021, në Kodër Vorë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë në një firmë mobiliesh;
Më datë 29.09.2021, në Fshatin Muçaj, Vorë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në një firmë kondicionerësh;
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1 automjet, 2 pajisje DVR, 1700 euro dhe 2 aparate celular.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale ”Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

