Dervishi: Tregu shqiptar nuk ka ekspertë për mbrojtjen e të dhënave
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, tha se në Shqipëri nuk ka ekspertë për mbrojtjen e të dhënave.
Për këtë arsye ai kërkoi sot në mbledhjen e Komisionit për çështjet ligjore ngritjen e strukturave të posaçme për të bërë publike vende e punës për të rinjtë që janë arsimuar në këtë fushë.
Ai thekson se në Shqipëri ka takuar vetëm 2 ekspertë të tillë, të cilët kanë studiuara jashtë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Dervishi shpreh nevojën e shpalljes së vendeve të lira për ekspertë të mbrojtjes së të dhënave, duke thënë se kriteret janë minimale. Ai shton se kërkojnë persona me arsim të lartë juridik pas eksperiencë pune, ose një vit eksperiencë pune.
"Nuk është mungesë interesi. Tregu shqiptar nuk ka ekspertë të mbrojtjes të të dhënave. Unë kam gjetur vetëm 2 persona që kanë studiuara jashtë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Do t'ju lutesha shumë të shikonit numrin e punonjësve në zyrën e Komisionerit, sepse mua më duhet që menjëherë të paraqes kërkesën për mungesën e strukturës. Të paktën të ekzistojë si strukturë. Të bëjmë publike vendet e punës, me shpresën, që nga dita në ditë do të ketë të rinj të arsimuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët do të jenë të aftë për të dhënë kontributin e tyre pranë zyrës së komisionerit.
Nuk është që kemi vënë kritere të vështira. Kriteret janë minimale. Kemi kërkuara arsim të lartë juridik pas eksperiencë pune, ose një vit eksperiencë pune.
Sepse nëpërmjet trajnimeve, ne i trajnojmë vetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Bruksel. Të paktën ne duhet t'i përgjigjemi me ngritjen e strukturës. Kjo është kërkesa ime finale", u shpreh Dervishi.

