Meta takon eurodeputeten Santos: Krimi i organizuar shqetësim serioz. Me përparësi liberalizimi i vizave të Kosovës
Presidenti i vendit, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Raporteren për Shqipërinë, Eurodeputeten Isabel Santos.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Presidenti ka ndarë detaje nga biseda me zonjën Santos.
Ai shprehet se ranë dakord që krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë një shqetësim serioz dhe duhen trajtuar me përparësi.
Gjithashtu, zoti Meta theksoi edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.
"Kënaqësi të takohesha me Raporteren për Shqipërinë, Eurodeputeten Isabel Santos.
Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi.
Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë.
Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve.
Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë."
