Shëndetësia me problem edhe në 2022, Manastirliu: Opsioni i Green-pass në lokale është në tryezë
Diploma e mjekësisë dhe infermierisë po shërben si vizë për ikjen masive të personelit shëndetësor shqiptar drejt Gjermanisë.
Shqetësimi është ngritur nga opozita gjatë mbledhjes së të hënës në Komisionin e Ekonomisë, ku ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prazantoi prioritetet e qeverisë për vitin e ardhshëm në këtë sektor.
'Kemi realisht mungesë të stafeve mjekësore" tha Arbi Agalliu
Ministrja në përgjigjen e saj nuk dha një shifër të saktë se sa është numri i mjekëve dhe infermierëve të larguar nga Shqipëria, por tha se qeveria po i mbështet ata.
"Jane punësuar mbi 1200 mjekë e mbi 3900 infermierë. Kjo do të thotë që jo vetëm kemi rritur numrin e mjekëve por dhe të infermierëve dhe po vijojmë të mbështesim burimet njerëzore duke rritur pagat. Do të rrisim kuotat për universitetin e Mjekësisë"
Ndërkohë gjatë diskutimeve, opozita kërkoi që ministrja e Shëndetësisë të sqarojë raportin e KLSH, i cili thotë se gjatë vitit 2020 janë kryer pagesa për shërbime që nuk janë përfituar nga qytetarët.
Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë mohoi këto të dhëna.
Sa i takon procesit të vaksinimit opozita shprehet skeptike për mënyrën se si do të administrohet nëse do vendoset green pass për hyrjen në bare dhe restorante.
Ministrja e Shëndetësisë konfirmon se ka pasur rritje të mbulesës vaksinale dhe se opsioni i greenpass është në tryezë, por duhet garanci për zbatimin e saj.
Deputeti i PS, Erion Braçe kërkoi që qeveria të mos shpenzojë para për blerje të tjera të dozave të vaksinave pa konsumuar më parë ato që janë në frigorifer.
