Balla: Jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord për zgjatjen e Vettingut

PS e quan jetike dhe emergjente dakordësinë mes maxhorancës dhe opozitës për zgjatjen e mandatit të vettingut.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se kjo nuk është aspak politike dhe se një çështje të tillë e kishte diskutuar edhe me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos.

Taulant Balla: Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është që ne do vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona për të çuar përpara reformat, për çështje që lidhjen me reformën në drejtësi, për nevojën e dakordësisë të të gjitha palëve për zgjatjen e afatit të mandatit të vettingut deri në 30 dhjetor të vitit 2024 që është një nevojë që ka buruar nga sugjerimi që kanë sjellë ekspertët, nuk është një çështje politike, nuk mund të jetë kurrsesi dhe në këtë këndvështrim mendoj që jemi në kushtet e një nevoje emergjente që palët të bien dakord.

Balla priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos.

Në një deklaratë për medie, pas përfundimit të takimit Balla u shpreh se vizita vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi Progres Raporti i publikuar nga Komisioni Evropian është një nga më të mirët për Shqipërinë që i ka hapur dritën jeshile mbajtjes së Konferencës së Parë ndërqeveritare.

I pyetur për abstenimin e Fatmir Xhafajt në Këshillin e Legjislacionit lidhur me kërkesën për ti kërkuar opinion Komisionit të Venecias për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, Balla tha se nuk ka më mungesë dakordësie.