Grabitja e banesës së Nazmi Çangut/ Urdhër-arreste nga Prokuroria e Krujës, FNSH operacion në Tiranë, një në pranga
Policia e ka identifikuar dy nga katër emrat e personave që kanë marrë pjesë në grabitjen me armë dhe shoqëruar me tortura të Nazmi Çangut në Fushë Krujë.
Ardian Prenga alias Ardian Kurti është njeriu kryesor që ka organizuar grabitjen brenda në banesën e Nazmi Çangut.
Ardian Prenga, është pjesë e grupit “Hijet e Natës”, një grup ky që ka si metodologji veprimi vetëm grabitjen e kasafortave të bizneseve në Tiranë dhe jo vetëm.
Një emër tjetër është Saimir Kuçi, edhe ky pjesë e grupit “Hijet e Natës”, i arrestuar disa herë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si autor i një serie grabitjesh, përfshirë dhe grabitjen e Ambasadës daneze në Tiranë, ku vodhën kasafortën ku mbaheshin vizat dhe pasaportat.
Ora News mëson se identifikimi i Ardian Prengës alias Kurtit është bërë nëpërmjet analizave të ADN-së, pasi në vendgjarje u gjend një kapele që kishte përmbajtje të djersës dhe qimeve.
Analizimi i tyre solli dhe përputhjen e me profilin e Ardian Prengës. Ky i fundit njihet si person me precedent penalë, kryesisht në atë të grabitjeve.
Deri në këta fazë të hetimeve, janë lëshuar 4 mandate arrestimi, por vetëm një është mundur të ekzekutohet nga policia, e cila që prej ditës së djeshme ka arrestuar Saimir Kuçin në Tiranë.
Ndërsa policia ka bastisur dhe 7 objekte të tjera në Tiranë, por nuk ka mundur të gjejë Ardian Kurtin, dhe dy personat e tjerë që besohet se kanë marë pjesë në këtë grabitje brenda banesës së Nazmi Çangut.
Saimir Kuçi, gjithashtu është një nga autorët e supervjedhjes së bujshme të biznesmenit të ndërtimeve Ilirjan Çela, të cilit i morën në banesë kasafortën me 340.000 Є, 5.000 £ dhe 13.400.000 lekë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në të gdhirë të datës 28 prill 2009 në një apartament në katin e nëntë të një pallati të ri në rrugën “Hamid Shijaku”.
Kuçi së bashku me 10 persona të grupit u arrestuan nga Krimet e Rënda, në kuadër të grupit kriminal “Hijet e Natës” dhe pak vite më parë më konkretisht në maj 2011 Kuçi u dënua me 11 vjet heqje lirie për akuzën e vjedhjes me dhunë në formën e grupit të strukturuar kriminal.
