“Gërdeci” Mediu: Akuzat janë të montuara dhe në kundërshtim me ligjin, nuk kam pasur lidhje

Në krah të avokatit të tij, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ka reaguar për herë të parë për mediet lidhur me rihapjen nga ana e SPAK-ut të dosjes së Gërdecit. Mediu deklaroi se kërkesa për rigjykim nga SPAK është absurde, duke shtuar se nuk ka asnjë lidhje me demontimin.

"Propaganda manipulative dhe qëllim keqe si dhe interesat e disa grupeve politike të mbështetur nga grupe mediatike të caktuara nëpërmjet fabrikimit, publikimit të lajmeve të rreme dhe keqinterpretimit të fakteve kanë synuar që të krijojnë perceptimin publik se ministri i Mbrojtjes është përgjegjës për atë ngjarje dhe i është shmangur drejtësi bërjes gjatë këtyre viteve. Nuk kam reaguar kundrejt sulmevetë ulëta të përbaltjes vetëm në respekt të dhimbjes dhe vuajtjes së atyre që pësuan nga kjo tragjedi. Nuk kam pasur asnjë lidhje direkt ose indirekt me ata që kanë zhvilluar biznesin në Gërdec. S’kam pasur lidhje me demontimin. 

Ajo çfarë SPAK kërkon janë çështje të shqyrtuara në vitin 2014 nga Prokuroria e Përgjithshme dhe përsëri nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës në vitin 2018. Në të dyja rastet Prokuroritë përkatëse kanë refuzuar rihapejn e kësaj çështjeje dhe në 2018 Gjykata e Tiranës ka lënë vendimin e Prokurorisë në fuqi.

Në 2019-ën, kjo kërkesë e SPAK është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit Tiranë dhe është rrëzuar," tha Mediu.

Ndërkaq edhe avokati i ish-ministrit Ardian Visha e ka konsideruar antikushtetuese dhe jo ligjore vendimin e SPAK për rihapjen e hetimeve për çështjen “Gërdeci”. Visha tha se asnjë provë e dorëzuar nga ai nuk është marrë parasysh dhe nuk është vlerësuar nga prokuroria.

“Nuk ka asnjë logjikë juridike. Është turp që ata të jenë në këtë lloj niveli.  Akti që ne bëjmë rekurs është bërë sepse ai është një vendim që ka mungesa të theksuara në mënyrën se si është ndërtuar.  Asnjë provë e dërguar prej nesh nuk ka as vlerësimin më të vogël nga gjyqtarja e çështjes në vendim," tha Visha.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dorëzoi dy ditë më parë rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të tij. Avokati Ardian Visha, në rekurs argumenton se vendimi është antikushtetues, cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.