Vrasja për kokainën e vjedhur, 7 në gjyq për zhdukjen e Jan Prengës, urdhërues të rrëmbimit Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj
Pesë nga 12 personat e akuzuar fillimisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, i kanë shpëtuar akuzës. SPAK ka përfunduar hetimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kamëz në janar të vitit 2020, duke dërguar në gjyq vetëm shtatë persona, pasi për pesë të tjerë hetimi është pushuar. Sipas prokurorisë, urdhërues të rrëmbimit janë shtetasit Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj që ndodhen në burg jashtë Shqipërisë.
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga rrëmbimi dhe zhdukja e Jani Prengës Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 7 nga 12 personat e akuzuar, duke pushuar hetimin për 5 të tjerë.
Në një deklaratë, SPAK bën me dije se ka dërguar për gjykim të pandehurit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Të njëjtat akuza rëndojne edhe për shtetasit Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.
Ndërkohë prokuroria e posacme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi sipas akuzës nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.
Sipas prokurorise nga hetimi rezulton se të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Kjo, pasi sipas tyre, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17 Janar 2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
