KLP cakton drejtuesit e prokurorive në Krujë e Lezhë, 3 prokurorë vazhdojnë garën për dy vakanca në SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktoi sot kryetarët e dy prokurorive në rrethe. Kështu prokurori Petrit Çano u caktua në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë dhe Erjon Shehaj në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.

Në mbledhjen e sotme KLP vendosi gjithashtu miratimin e listës me emrat e kandidatëve për 2 vende vakante në SPAK, të cilët plotësojnë kushtet ligjore për ngritjen në detyrë, pas vlerësimit paraprak.

Alfred Shehu, Elvin Gokaj dhe Sonila Muhametaj (Domi) janë përzgjedhur për të  vazhduar garën e mëtejshme për prokurorë pranë SPAK.

Ndërkohë lidhur me kërkesën e ILD për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjstrates Odeta Todorushi, vendimi do të merret me 17 nëntor.

"Pas shqyrtimit në seancë dëgjimore të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…} dhe propozimin për masën disiplinore "vërejtje publike", Këshilli do të shprehet me vendim me datë 17.11.2021" thuhet në njoftim.